Frikë nga privatizimi te klubi i Kategorisë së Parë, kryebashkiaku qetëson lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2021 | 23:28

Frikë nga privatizimi te klubi i Kategorisë së Parë, kryebashkiaku qetëson lojtarët

Mbledhje te Pogradeci. Kryebashkiaku Ilir Xhakolli dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak kanë zhvilluar një takim me stafin ekzekutiv, atë teknik dhe futbollistët.

Pogradeci

Qëllimi ka qenë i thjeshtë: garanci për vazhdimësinë, përtej planeve që kanë drejtuesit për të shitur 100% aksionet e klubit. Pritet që ky proces të kalojë në ankand dhe nga sa bëhet e ditur ka kompani të interesuara, ndonëse asgjë konkrete. Ekipi nga ana tjetër do të nisë përgatitjet në fund të muajit, edhe pse nuk ka akoma një datë zyrtare. Lojtarët dhe drejtuesit kanë kërkuar të dinë se a do të respektohen kontratat nëse ndodh privatizimi i aktivitetit.

Xhakolli është përgjigjur pozitivisht në lidhje me këtë çështje dhe ka siguruar se kjo do të jetë një nga pikat e kontratës, të paktën për sezonin 2021-2022. Kjo konfirmohet edhe nga Kopi Gusho, shefi i klubit të liqenorëve. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai zbardh diçka më shumë rreth kësaj çështjeje. “Kemi marrë garanci maksimale që do të respektohen kontratat, kushdo që do të jetë poseduesi i aksioneve.

Të gjithë janë të blinduar, me përjashtim të tre futbollistëve. Këtë garanci na e dha kryetari në takimin e zhvilluar. Kjo bën të nisim punën të qetë për vazhdimësinë. Nga sa kemi mundur të mësojmë, janë disa kompani që kanë shfaqur interes. E megjithatë, deri tani nuk kemi asgjë zyrtare”, përfundoi ekzekutivi i klubit. Në fillim doli në skenë një kompani spanjolle që interesohej, por rishtas mësohet se do të hynë në garë edhe disa biznesmenë nga Pogradeci.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"