Frikë nga komploti, stafi i Partizanit u jep “porosi speciale” lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2018 | 14:48

Frikë nga komploti, stafi i Partizanit u jep “porosi speciale” lojtarëve

Partizani pret sot Kukësin në “Selman Stërmasi” në një moment jo të favorshëm, ndonëse fitorja kërkohet për mbetur në rrugën për sigurimin e një bilete për në Kupat e Europës.

partizani kukesi

Pezullimi i kapitenit Idriz Batha dhe golashënuesit më të mirë të ekipit, Lorenc Trashi, nga Disiplina dy ditë para kësaj sfide, ka rënë si “bombë” në kampin e kuq.

Aq shumë u ka djegur ky dënim drejtuesve të klubit, sa në mënyrë të rrufeshme, drejtori i përgjithshëm Olsi Rama doli pak orë pas vendimit të Disiplinës në konferencë për shtyp, duke shigjetuar FSHF-në si orkestruese të asaj që ndodhi.

Starova-Trashi-Batha-696x464

Në sezonet e fundit, Partizani ka qenë një oponent i zhurmshëm për federatën, por pas dënimit të dy lojtarëve, të kuqtë dyshojnë për një komplot ndaj tyre, për faktin se u pozicionuan kundër presidentit Duka në zgjedhjet e fundit të FSHF-së.

Ndaj, përveç përgatitjes në fushë, drejtuesit dhe stafi teknik po punojnë edhe në aspektin psikologjik të lojtarëve. Nisur nga situata e krijuar dy ditë para duelit me Kukësin, stafi teknik ka dhënë porosi speciale për lojtarët në prag të takimit të sotëm.

moxhi starova

Sipas këtyre udhëzimeve, Partizani do të jetë një “halë në sy” për zyrtarët e federatës dhe arbitrat, ndaj lojtarët duhet të zbatojnë vetëm porositë e ngarkuara nga stafi, duke eliminuar çdo veprim në kokën e tyre.

Lojtarët janë porositur që të mos kontestojnë zyrtarët e ndeshjes dhe kundërshtarin dhe të mundohen që të jenë korrekt në ndërhyrjet e tyre, në mënyrë që të mos u japin shkak për t’i ndëshkuar dhe më pas për të justifikuar penalizimet që rrjedhin nga pas.

Demi

POROSI SPECIALE– Në përfundim të seancës së ditës së shtunë, por edhe dje, stafi teknik me në krye trajnerin Starova u ka dhënë këtë porosi lojtarëve:

“Bëni çfarë t’u themi ne, jo në kokën tuaj, pasi do ju dënojnë. Na kanë ‘halë në sy’. Të gjithë i kemi kundër dhe këtë gjë duhet ta dini mirë. Sjellja juaj duhet të jetë shembullore në fushë, pasi ata do të mundohen që të shfrytëzojnë çdo lloj situate për të përligjur dënimet e tyre karshi nesh. Në rastin më të parë, ju do të dënoheni në mënyrë abuzive. Pra, mos lejoni që ta fryjnë situatën për të justifikuar dënimet e tyre, si dhe për të thënë shikoni se çfarë po bëjnë te Partizani”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"