Frikë nga dopingu, Teuta bën kërkesën e rrallë para ndeshjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2019 | 20:02

Frikë nga dopingu, Teuta bën kërkesën e rrallë para ndeshjeve

Durrësi është bërë epiqendra e basketbollit shqiptar për meshkuj këtë sezon, ku dy ekipet e këtij qyteti, Teuta dhe Goga Basket, po dominojnë kampionatin e do të përballen me njëra-tjetrën në finalet e Superligës. Atmosfera në qytetin bregdetar është më e ndezur se kurrë, ku pritet me padurim takimi i parë, që do të luhet këtë diel në sallën “Dhimitraq Goga”.

teuta basket

Por, ashtu sikurse ka ndodhur këtë sezon, nuk mungojnë as shkëndijat ndërmjet dy klubeve, të cilat nisën fillimisht “çështjen” e basketbollistit amerikan Kobes dhe duket se nuk do të ndalen këtu. Tashmë është Teuta që i druhet faktit se mund të ketë parregullsi dhe shkelje në përdorimin e substancave të ndaluara në sport.

Për këtë arsye, drejtuesit e Teutës kërkojnë që të ketë kontrolle antidoping gjatë ndeshjeve finale. Shoqata Teuta Basket ka vënë në dijeni FSHB dhe i ka drejtuar një letër zyrtare Komisionit Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive, ku shkruan: “Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në shumë fusha të sportit shqiptar për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet çdo herë e më shumë, meqë jemi në fazën e finaleve të ‘Play-Off’-it të Superligës dhe për të zhvilluar një kompeticion sa më të pastër dhe të shëndetshëm për sportin e bukur të basketbollit, kërkojmë që të dyja skuadrat  finaliste, Teuta dhe Goga Basket, t’u nënshtrohen analizave dhe testeve antidoping.

Antidoping test

Gjithashtu, sqarojmë se këtë propozim e bëjmë nisur edhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve të tjera për çështjet e dopingut, si dhe nga numri i lartë i lojtarëve të huaj që këtë vit luajnë në finalet ‘Play-Off’ të Superligës së Basketbollit. Duke qenë se kohët e fundit në opinionet e sportdashësve durrsakë e më gjerë dhe në qarqet sportive qarkullojnë opinione se përdorimi i dopingut ka filluar të jetë prezent edhe në sportin e basketbollit, gjë që bie ndesh me etikën, vlerat dhe moralin e sportit, kërkojmë që të zbatohen të gjitha dispozitat për të luftuar këtë fenomen antisportiv.

Të gjitha organizatat sportive janë të detyruara të respektojnë ligjin antidoping, të përcaktuar në dispozitat e Konventës Europiane Antidoping të vitit 1989, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.9242, datë 17/06/ 2004. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, kërkojmë bashkëpunimin tuaj si kontribut i misionit që ju keni në zbatimin e këtij ligji”, thuhet në letrën e shkruar nga Shoqata Teuta Basket.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"