Frikë nga bojkoti, Vllaznia akord me lojtarët për pagat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 19:20

Frikë nga bojkoti, Vllaznia akord me lojtarët për pagat

Vllaznia vijon që të jetë në vend të parë në renditjen e Grupit A, pa pësuar asnjë humbje dhe për më tepër me një diferencë të dukshme ndaj kundërshtarëve. Me sa duket, lojtarët e kanë mendjen vetëm te fitoret dhe rezultatet, por nuk duhet harruar fakti se kanë edhe probleme financiare.

VLLAZNIA

Nga sa mësohet, lojtarët kanë disa muaj pa marrë pagat, ndërsa një pjesë e tyre kanë edhe rroga nga sezoni i kaluar. Stafi drejtues i klubit mësohet se ka pasur një takim me lojtarët para seancës stërvitore ku mësohet se i ka shpjeguar arsyet e kësaj vonese. Administratori Suad Lici u ka bërë të ditur futbollistëve se kur mund të shlyhen. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit kanë gjetur mirëkuptimin e lojtarëve të skuadrës për këtë çështje.

Drejtuesit i kanë shpjeguar futbollistëve faktin e kësaj vonese, ku sipas tyre ndikon bllokimi i llogarive bankare që shlyerjet të mos bëhen në kohë. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit po bëjnë të gjithë përpjekjet që të bëjnë likuidimet e pagave të lojtarëve. Frika e ndonjë bojkoti të mundshëm siç ndodhi me Skënderbeun, ka bërë që drejtuesit e Vllaznisë të sqarojnë lojtarët në lidhje me këtë vonesë.

BLLOKIMI

Bllokimi i llogarive bankare nga ana e zyrës përmbarimore ka sjellë këtë probleme te klubi për sa u përket pagesave të lojtarëve. Një gjë e tillë u mor më lehtë nga ana e drejtuesve, të cilët shpresuan që të gjenin një zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Por, me sa duket, lëvrimi i parave nga Bashkia në drejtim të klubit dhe më pas transferimi për te lojtarët, nuk është aq i lehtë.

Vllaznia

Klubi Vllaznia është ndër të vetmet që funksionon përmes bankës për sa i përket shpërndarjes së plotë të rrogave të lojtarëve të saj. Madje, duhet theksuar se çdo pagë e futbollistëve është e deklaruar edhe në institucionet përkatëse shtetërore. Ky bllokim i fondeve ka bërë që situata të mos jetë e favorshme në klubin shkodran, megjithatë vetë lojtarët dhe stafi nuk kanë shprehur asnjë shqetësim në këtë drejtim. Lojtarët po mirëkuptojnë drejtuesit e klubit për problematikat që po hasin në këtë periudhë.

STËRVITJA

Ndërkaq, skuadra është stërvitur dje gjatë orëve të paradites, duke iu larguar orëve të drekës ku edhe është stërvitur gjatë këtyre ditëve. Mirëpo, kjo nuk ka ndikuar tek ekipi që është stërvitur me angazhim maksimal. Për teknikun Lika, e rëndësishme është që ka një grup të plotë për takimin e së shtunës ndaj Erzenit. I vetmi që do të mungojë është kapiteni Gilman Lika, ndërsa edhe lojtari i sapoardhur, nigeriani Eziamaka, nuk do të jetë gati për këtë takim.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"