Frika nga rënia, Tomori bën letër të hapur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2019 | 12:24

Frika nga rënia, Tomori bën letër të hapur

Pas humbjes me Apoloninë në fush ën e vet, Tomori po e ndien më shumë rrezikun e rënies nga kategoria. Beratasit e shohin veten në vendin e fundit të grupit “play-out” me pikë të barabarta me Turbinën, ndërsa deri në fund kanë për të luajtur edhe tri finale. Objektivi i skuadrës është mbijetesa në Kategorinë e Parë, ndërsa duhet thënë se rrezikojnë shumë. Duke parë situatën shumë të vështirë që po kalon skuadra, klubi ka menduar t’u bëjë një thirrje të hapur tifozëve për ta mbështetur sa më shumë ekipin në këto momente të vështira.

tomori

THIRRJA – Në një status në faqen zyrtare në “Facebook”, klubi beratas shkruan: “Të dashur qytetarë beratas, tifozë, sportdashës dhe ndjekës të Tomorit! Duke parë rezultatet negative të skuadrës sonë të përbashkët, shohim një distancim tuajin karshi klubit dhe lojtarëve. Na vjen keq që kemi krijuar këtë frymë mosbesimi, por duke kërkuar ndjesë për rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit, kërkojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj në këto momente të vështira. Futbollistët tanë janë kampionë! Ata kërkojnë vetëm mbështetje, mbështetje dhe mbështetje për të kaluar këtë ‘ngërç’ psikologjik. Drejtuesit dhe stafi teknik është me lojtarët dhe mbështet vetëm lojtarët. Ata gëzojnë simpatinë tonë dhe ne jemi të bindur se do ta kalojmë këtë situatë të keqe. Të bëhemi së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin do të shpëtojmë Tomorin nga zona e rrezikut. Le të harrojmë gjithçka për një moment dhe të mos i çojmë nëpër mend rezultatet negative. Bëhuni bashkë në mbështetje të lojtarëve”, shkruhej në thirrjen e hapur të klubit beratas në faqen e tij në “Facebook”.

Tomori rrezikon seriozisht rënien në të Dytën. Në fillim të këtij sezoni, drejtuesit e klubit bënë të ditur se objektivi i skuadrës do të jetë ngjitja në Superiore. Por, me kalimin e javëve u pa se ekipi nuk kishte forcën për ta arritur një gjë të tillë. Tashmë, beratasit janë në luftë për t’i shpëtuar rënies, ndërsa drejtuesit e klubit kanë shumë besim se do t’ia arrijnë qëllimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"