Frika nga dënimi, Daja: S’më ka zënë gjumi, ja çfarë na ka thënë Takaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2018 | 9:53

Frika nga dënimi, Daja: S’më ka zënë gjumi, ja çfarë na ka thënë Takaj

Frikë për një dënim ekstrem, shumë dilema për të ardhmen, por edhe një garanci për të vazhduar të qetë stërvitjen. Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka pranuar të flasë për hetimin që UEFA po i bën klubit korçar. Sa ndikon kjo në ekip, çfarë pret të ndodhë dhe biseda me presidentin Ardjan Takaj. Këto, por jo vetëm, i kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, kreu i pankinës korçare foli për gjithçka.

Daja6-470x313

Zoti Daja, çfarë po ndodh me skuadrën në këtë moment ku flitet për një tjetër dënim nga UEFA?

Së pari, ne si staf, bashkë me futbollistët, duhet të fokusohemi te ajo që na kërkohet vazhdimisht, performanca në fushë. Në të tilla situata, drejtuesit janë ata që ndjekin këto çështje përmes zyrës juridike. Mendoj se, për një çështje që Skënderbeu është dënuar një herë, nuk mund të dënohet sërish. Kjo më duket absurde, gjithnjë nëse do të ndodhë.

Gjithsesi, drejtuesit e klubit ju kanë vënë në dijeni për atë që mund të ndodhë…

Shikoni, nga drejtuesit na është kërkuar që të jemi në të njëjtin ritëm që kemi qenë javë pas jave. Nuk duhet të humbasim aspak përqendrimin, sepse nuk na takon ne që të merremi me çështje të tilla. Nëse ne bëjmë detyrën tonë, kjo është gjëja më e rëndësishme.

A keni parë ndonjë reagim në ekip këto ditë pas lajmit që bëri jehonë?

Futbollistët që unë drejtoj, ku kryesisht pjesa më e madhe janë me eksperiencë, dinë të reagojnë. Gjithçka tani është në nivel paragjykimi, ndërsa në dinamikë kjo mbetet për t’u parë, por që unë personalisht besoj shumë që nuk ka për të ndikuar aspak në fushë.

Megjithatë, në raportin e UEFA-s janë përdorur emra lojtarësh dhe trajnerësh. Ka krijuar një klimë tjetër në skuadër ky fakt…

Absolutisht jo. Madje, gjatë gjithë kohës, ne si staf, lojtarët dhe presidenti, jemi të gjithë bashkë. Edhe një vit më parë ka pasur trysni të madhe, por ne kurrë nuk kemi qenë pjesë e një aleance dhe kemi luajtur deri në fund me “fair-play”.

Prisni që mund të ndodhë më e keqja me Skënderbeun apo besoni se klubi do t’ia dalë edhe këtë herë?

Nuk besoj që UEFA do të marrë dy herë një masë dënimi ndaj një klubi shqiptar. Mendoj se në politikën e vet UEFA-s është që të shtrijë futbollin në të gjithë kontinentin. Skënderbeu është një skuadër e re, që vjen nga një vend i vogël dhe nga një qytet me kulturë, i cili po jeton prej disa vitesh vetëm me futbollin dhe zhvillimin e tij. Nuk ka asnjë mundësi që UEFA të hedhë poshtë ato që i promovon vetë.

OK, por është fakt që inspektorët e UEFA-s kanë kërkuar dënim ekstrem…

Nuk di si ta përshkruaj këtë situatë, pasi edhe mund t’i ngatërroj gjërat, por në Shqipëri kur lind një gjë e bukur, duan ta dëmtojnë dhe asnjëherë nuk e përkrahin. Edhe UEFA duhet të shohë që në këtë vend futbolli ka qenë në nivel mbijetese dhe tani po lëviz pozitivisht.

Nëse e bën atë që nuk duhet të bëjë, UEFA do t’i bëjë keq Shqipërisë. Ne si Shqipëri kemi nevojë të na shtrijnë dorën e bashkëpunimin dhe jo për të na dënuar. Nuk kemi nevojë për kartonin e kuq, por për kartonin jeshil dhe të gjitha këto duhet të shihen me shumë kujdes.

Takaj akuzon për një klan anti-Skënderbe në Shqipëri. Ju si mendoni, ka më shumë armiq apo miq klubi korçar?

Unë mendoj që Skënderbeu është ekipi më i mirë në Shqipëri. Nuk është përfshirë në asnjë situatë që flitet dhe jam krenar që drejtoj këtë skuadër të qytetit të Korçës, që për mua ka për bazë kulturën. Personalisht jam më shumë se i lumtur në stolin e Skënderbeut.

Çfarë keni menduar kur mësuat për herë të parë lajmin e një dënimi të mundshëm?

Të them të drejtën, nuk më ka zënë gjumi këto ditë, pasi Skënderbeu është si përfaqësuesja e dytë shqiptare dhe unë kam fatin të jem në stolin e këtij ekipi. Kam menduar se çfarë do të ndodhë me futbollin shqiptar më pas nëse do të ketë një ridënim. Kjo për mua është absurde, por nëse ndodh do të kthehemi shumë kohë prapa dhe do të jetë një keqardhje e madhe.

A mund të na zbuloni se çfarë ju ka thënë presidenti Takaj ose, më saktë, a keni marrë garanci nga ai për të ardhmen?

Një ditë më parë kemi qenë së bashku dhe na ka kërkuar që të fokusohemi te detyra jonë e vetme, stërvitja dhe ndeshjet. Për pjesët e tjera, si do të rrjedhin ngjarjet, ato do të shikohen në vazhdimësi.

Me frikën e një dënimi, por edhe luftën në kampionat dhe Kupë. I fiton dot të tria Skënderbeu?

Mendoj që UEFA në fund do të bëjë zgjidhjen më të mirë për futbollin shqiptar dhe kjo do të jetë ajo që do ta cilësoja si një luftë të fituar. Ndërsa detyra jonë është që të përqendrohemi vetëm te ndeshjet dhe të arrijmë të gjitha objektivat sezonalë që kemi.

Kamza-Skënderbeu duket sikur ka kaluar në plan të dytë…

Jo, aspak. Në plan të parë është futbolli sepse si unë dhe stafi im drejtojmë ekipin e Skënderbeut dhe përgjigjemi për të arritur atë që ka objektiv klubi. Ju thashë edhe më lartë, drejtuesit na kanë thënë që të vazhdojmë me rezultatet pozitive, duke qenë me kokën lart.

Prisni fitoren e radhës sot?

Unë shpresoj shumë që do t’ia dalim. Në dy ndeshjet e para kemi lënë pikë ndaj Kamzës, por kjo nuk ndikon në qëllimin që ne kemi për këtë 90 minutësh.

Cilat janë shqetësimet tuaja përpara këtij takimi?

Mungesat janë të deklaruara. Jashanica dhe Vangjeli janë dy pikat më të forta, por nuk do të jenë në fushë. Do të shikojmë si do t’i zëvendësojmë.

Luani ndaj të vetmes skuadër që nuk keni arritur ta thyeni, ndoshta sot është momenti i duhur për të ngritur disi edhe moralin pas një jave të mbushur me lajme të këqija për klubin…

Për të arritur te fitorja, duhet të jemi të përqendruar. Jo se Kamza ka qenë më mirë se ne në dy përballjet e para, sidomos te ajo ndeshje e fazës së dytë në Korçë, por që nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ajo që ndodhi kur na barazuan në fund.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"