Frika nga “balotazhi”, zbardhet bilanci i ndeshjeve direkte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2017 | 21:13

Frika nga “balotazhi”, zbardhet bilanci i ndeshjeve direkte

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i Kategorisë Superiore, tashmë llogaritë janë duke u bërë në fundin e tabelës së klasifikimit. Me përjashtim të Korabit, që ka rënë zyrtarisht nga Superiorja, pesë ekipe vazhdojnë të jenë në garë për të siguruar mbijetesën.

tirana laci arbitrat juxhin xhaja karabeci vucaj

Në një moment të tillë është e vështirë që të bësh llogari, për të mësuar se cila do të jetë skuadra e cila do të shoqërojë dibranët në inferiore, por shanset janë që, në fund, të ketë më shumë se dy ekipe që do të jenë me pikë të barabarta me njëra-tjetrën.

Rez ndeshjet direkt

Në bazë të rregullores, kur dy apo më shumë skuadra grumbullojnë pikë të barabarta, atëherë duelin e fiton ajo që ka fituar më shumë në ndeshjet direkte. Edhe nëse këto janë në barazim, atëherë triumfon ekipi që ka shënuar më shumë gola në ndeshjet direkte.

Vllaznia

Shkodranët aktualisht kanë 39 pikë në tabelën e klasifikimit dhe ndiqen nga Teuta me dy pikë më pak, ndërsa është edhe një ndeshje për t’u luajtur mes të dyjave. Megjithatë, ekipi i Cungut është pak më i avantazhuar, duke qenë se në tri ndeshjet e luajtura deri më tani ka fituar një me rezultat minimal dhe dy të tjera kanë përfunduar në barazim pa gola. Në rast se e njëjta situatë përsëritet me vlonjatët, shkodranët janë sërish të favorizuar.

vllaznia gol

Ata kanë luajtur katër ndeshje me Flamurtarin dhe kanë fituar tre, duke humbur vetëm një. Në përballjet me Tiranën, Vllaznia momentalisht është e avantazhuar, pasi ka fituar një dhe dy të tjera kanë dalë në barazim pa gola, ndërsa në javën e fundit i pret bardheblutë në shtëpi.

I vetmi ekip ku shkodranët janë të disavantazhuar është Laçi, që aktualisht ndodhet 3 pikë larg tyre. Kurbinasit kanë fituar tri ndeshje me kuqeblutë dhe kanë humbur një.

Teuta

Me 37 pikë në klasifikim dhe vetëm dy pikë nga zona e ftohtë, durrsakët do të kenë një garë të vështirë për mbijetesë. Në përballjet direkte me Flamurtarin, ata janë barazim, pasi një e kanë fituar durrsakët dhe një vlonjatët.

Aktualisht diferenca mes të dyjave është vetëm një pikë, ndërsa numri i golave të shënuar dhe pësuar është dy për çdo ekip. Kështu që duhet pritur fundi i kampionatit për të parë në total numrin e golave të shënuar dhe të pësuar.

teuta

Pothuajse e njëjta situatë është për durrsakët dhe në sfidat me Tiranën. Dy ndeshje kanë dalë në barazim, një e ka fituar Tirana dhe një Teuta. Megjithatë, bardheblutë kanë shënuar tre gola dhe kanë pësuar dy, duke qenë në avantazh. Ndërsa në takimet me Laçin, durrsakët janë superiorë, pasi kanë arritur të fitojnë tre sfida dhe në javën e fundit do të luajnë të katërtën.

Flamurtari

Vlonjatët kanë aktualisht 36 pikë dhe janë 1 pikë larg fundit. Megjithatë, në ndeshjet direkte që kanë pasur me Tiranën, ekipin me të cilin i ndan vetëm një pikë, vlonjatët janë superiorë.

Në përballjet direkte ata kanë arritur të fitojnë tri ndeshje dhe barazojnë një. Nëse në fund mbyllin gjithçka me pikë të barabarta, atëherë janë vlonjatët ata që shpëtojnë.

flamurtari

Ndërkohë në sfidat kundër Laçit, bilanci nuk është shumë pozitiv për ekipin e Duros. Një barazim, një humbje dhe një fitore lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e javës së ardhshme që luhet në Vlorë.

Tirana

Ndoshta nuk e kishin menduar se mund të ishin në pozita kaq të vështira, megjithatë pas humbjes së djeshme me Skënderbeun, bardheblutë janë zyrtarisht në zonën e ftohtë. Në ndeshjet direkte me kurbinasit, që janë një pikë më shumë se kryeqytetasit, ata janë në barazim.

tirana kupe

Kanë barazuar dy, kanë humbur një dhe kanë fituar një tjetër. Një gol i pësuar dhe një tjetër i shënuar, bëjnë që në rast barazimi pikësh në fund të sezonit, do të shihet diferenca e golave të shënuar apo pësuar gjatë kampionatit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"