Frenimi i kampionatit ndez shpresat te Laçi, kurbinasit duan të kthehen të frikshëm për rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2020 | 18:26

Frenimi i kampionatit ndez shpresat te Laçi, kurbinasit duan të kthehen të frikshëm për rivalët

Ekipi i Laçit po bën festë sportive nga ndalja e kampionatit. Skuadra e Armando Cungut ishte e para që kërkoi ndaljen e ndeshjeve, dëshirë, e cila iu plotësua nga federata. Në fakt, veç stërvitjes dhe kontrollit të përhapjes së Koronavirusit, te Laçi shpresojnë që të riaftësojnë me urgjencë sulmuesin kryesor të skuadrës, Nuabuezen.

kirian nuabueze

Lojtari, i cili ka shënuar 17 gola, është dëmtuar që para sfidës me Tiranën, pikërisht në ndeshjen me Bylisin. Amerikani ndikoi shumë në lojën e kurbinasve që humbën një shans të madh për të marrë vendin e dytë në kampionat. Kujtojmë që Laçi është kthyer në shtëpi nga transferta kryeqytetase me zero pikë. Duke parë që skuadra kërkon të luajë medoemos në Europë, kurbinasit duan që të fitojnë me Teutën, një rival direkt për vendin e tretë.

Skuadra kurbinase në kryeqytet vuajti mungesat e Toros, Gjonit, Nuabuezes. Të gjithë këta lojtarë pritet të kthehen në ekip për arsyen e vetme që një tjetër gabim do t’i kushtonte shumë ekipit kurbinas.

Aktualisht, Laçi është në vendin e tretë me 41 pikë, duke qenë pretendenti kryesor për të luajtur nga kampionati në Europë. Skuadra e Cungut këtë sezon ka kaluar shumë peripeci, ndërsa një nga goditjet e forta ka qenë eliminimi nga Kupa e Shqipërisë. Me kthimin e Nuabuezes në skuadër shanset për një fitore të Laçit ndaj durrsakëve shtohen ndjeshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"