Frashërit i skadon kontrata/ Skënderbeu “tundohet” nga një rikthim big, në skenë del ish-kapiteni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 14:35

Frashërit i skadon kontrata/ Skënderbeu “tundohet” nga një rikthim big, në skenë del ish-kapiteni

Skënderbeut i shtohen dilemat për pjesën së dytë të sezonit. Veç plotësimit të kërkesave të trajnerit në merkato, korçarët duhet të mendojnë edhe për rinovimet e kontratave në skadencë.

ERLIS FRASHERI

Një pjesë e lojtarëve, të cilësuar si të rëndësishëm edhe nga Ivan Gvozdenoviç, u mbaron marrëveshja. Burime për “Panorama Sport” raportojnë se bëhet fjalë për disa lojtarë që duhet të rinovojnë në fund të sezonit, por më emergjentja mbetet ajo e Erlis Frashërit. Korçari ka pasur një kontratë të vlefshme deri në fund të këtij 2022-shi dhe prej nga mbyllja e ndeshjes me Besën, ai mund të konsiderohet lojtar i lirë në treg. Të njëjtat burime treguan se për momentin ende nuk ka asnjë kontakt mes palëve dhe më herët rinovimi nuk është diskutuar, çka rrit akoma edhe më shumë dilemat për të ardhmen të tij në kampin bardhekuq. Në kushtet e tilla mbetet për t’u parë se si do të vijnë situatat për futbollistin, që më herët ka pasur edhe interesimin e Dinamos, por edhe të ekipeve të tjera.

Nga ana e tij duket se lojtari është i qetë dhe po pret të shohë se cilat do të jenë mundësitë që do t’i paraqiten duke qenë në pritje të një takimi me presidentin Ardjan Takaj për të diskutuar mundësinë e zgjatjes së kontratës. Klubi për momentin nuk ka bërë asnjë hap për të sinjalizuar lojtarin në lidhje me ofertën për rinovim. Por diçka e tillë pritet që të ndodhë në ditët e para të janarit. Korçarët nga sa bëjnë me dije burimet janë në pushim total dhe prej një jave duket se po shijojnë disa ditë pushimi. Me fillimin e vitit, kur ekipi të grumbullohet, me shumë mundësi do të nisë puna jo vetëm për rinovimet, por edhe për merkaton. Megjithatë ende nuk është e qartë se si do të shkojë çështja e rinovimit për Erlis Frashërin. Kjo për vetë faktin se klubi duket që është tunduar edhe nga një mundësi tjetër për të rikthyer në Korçë, Jorgo Meksin, i cili ka mbyllur aventurën te Kukësi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"