E ulin në stol, Stivi Frashëri shpërthen në “Facebook”: Te Tirana më shajnë nga nëna!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2015 | 20:19

E ulin në stol, Stivi Frashëri shpërthen në “Facebook”: Te Tirana më shajnë nga nëna!

stivi frasheri

Kritikat e ashpra fill pas derbit dhe mbi të gjitha fakti që dje ka humbur vendin e titullarit, ka sjellë shpërthimin e Stivi Frashërit. Akuza tepër të rënda kundrejt klubit, gjithnjë nëse rezultojnë të vërteta. Portieri i Tiranës, edhe pse dje ka qenë i grumbulluar në Durrës, bashkë me pjesën tjetër të ekipit, nuk ka kursyer askënd në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Fotoja që ai ka postuar rreth orës 18:00, është pasuar me një lumë komentesh mes Frashërit dhe miqve të tij në këtë rrjet social. Ai u bën me dije komentuesve se te Tirana stërvitet vetëm 15 minuta dhe se e shajnë nga nëna dhe motra kur është në ndeshje. Madje këmbëngul që do t’u tregojë skeptikëve, që i cilëson “horra e barbona”, që gabohen. Madje, thekson se nuk ka në plan të largohet pa shfaqur vlerat e tij dhe shpallur Tiranën kampione.

Akuzat

“Jo, nuk ka lidhje fanella, këtu jam i rrethuar nga njerëz ‘shumë të mirë’… stërvitja është puna. Stërvitesha 5-6 orë në ditë me qejf e dëshirë me profesorë që më donin e respektonin. Këtu, stërvitem 15 minuta dhe kur je në ndeshje, të shajnë prej pankinës nga nëna e motra, aq të mirë janë. Më duhet të shtrëngoj dhembet e t’u tregoj horrave e barbonave këtu që gabohen. Çdo gabim ka një shkak dhe që ky që po shohin s’është Stivi që e lusnin në verë të vishte këtë fanellë! Talentin ma kanë ulur në tokë dhe s’vlen pa punë… Turp të fyhesh e shahesh nga disa të papërgjegjshëm që pinë kallo tërë ditën! Të jesh i sigurt që s’jam i vetmi që është ankuar. Që ta kuptoni të gjithë, unë nuk iki pa treguar 100% tim dhe s’kam ndër mend të ndihmoj askënd. Dua ta shoh këtë fanellë kampione më shumë se çdokush tjetër. E di çfarë është Tirona, di dhe sa punë do që ta mbash në shpatulla, thjesht kuptoni ju që unë s’po e bëj atë punë, kaq”, kanë qenë këto disa nga komentet e Frashërit, ku ka folur pa “dorashka”.

Përgënjeshtrimi

Por, në orën 20:30, lojtari e fshiu postimin e tij dhe më pas ka përgënjeshtruar duke thënë: “Ju kërkoj ndjesë për keqkuptimin. Profilin tim në ‘Facebook’ gjatë ditës së sotme (djeshme) e ka përdorur një shok i imi. Inati dhe keqardhja për gabimet e mia e kanë shtyrë të komentojë gjëra të pavërteta. Kërkoj ndjesë për këtë gabim të bërë. Ashtu siç përfitoj nga rasti të kërkoj ndjesë publikisht për gabimin e bërë në derbi. Keqkuptime të tilla nuk do të ndodhin më ju premtoj. Në fushë do të punoj fort e me kokën ulur për të rigjetur veten. I juaji bardheblu, Stivi Frashëri”.

faksimile 3 faksimile faksimile 4 faksimile 2

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"