Frashëri, pa emocione në Korçë: Mendojmë vetëm rezultatin pozitiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 18:37

Frashëri, pa emocione në Korçë: Mendojmë vetëm rezultatin pozitiv

Mbrojtësi i Kamzës, Erlis Frashëri, të dielën ka një ndeshje të veçantë, pasi do të luajë ndaj ekipit të vendlindjes. Ai shikon çdo gjë të bukur në Korçë, por kërkon që të gëzojë si pjesë e Kamzës. Kamzalinjtë kanë mungesa të rëndësishme, por Frashëri pohoi për “Panorama Sport” se ekipi po përgatitet për të marrë pikë ndaj Skënderbeut dhe për të nisur ngjitjen.

Frasheri

Kamza po kalon një moment të vështirë, duke mos pasur ritmin e sezonit të kaluar. Nga se ka ardhur kjo?

Ne vijmë pas tri humbjeve dhe një barazim. Është e vërtetë që po kalojmë çaste të vështira. Mendoj se kjo është më shumë psikologjike sesa rënie. Por, ekipi ka pasur edhe mungesa të rëndësishme nga dëmtimet. Gjithsesi, barazimi me Flamurtarin ka sjellë qetësinë në skuadër, si dhe ndërprerja e kampionatit na dha kohën e përshtatshme që të përgatitemi për takimin e radhës.

A ka ndikuar ndryshimi dhe si po përshtateni me trajnerin e ri?

Për sa i përket ndryshimit të trajnerit, janë vendime që i dinë drejtuesit e klubit dhe nuk janë në axhendën time. Të dy trajnerët kanë vlerat e tyre në skuadër, ndaj ndryshimi nuk besoj se ka pasur shumë ndikim. Duke qenë se të gjithë janë futbollistë profesionistë, në këtë rast ndryshojnë vetëm idetë e lojës, ku çdo trajner paraqet opsionet e veta. Ne jemi përshtatur totalisht edhe me idetë e trajnerit Duro, që solli një frymë të re dhe mentalitet ndryshe në daljen graduale të skuadrës te goli. Gjithsesi, ekipi po merr formën e përshtatshme dhe shpresojmë të vijnë së shpejti dhe rezultatet pozitive.

Të dielën keni përballjen e radhës kundër kampionëve, por që është dhe skuadra e vendlindjes suaj, si shihni këtë ndeshje?

Kjo është ndeshje e radhës, e njëjtë si të tjerat dhe po aq e rëndësishme. Ne do të mundohemi të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Te Kamza ndihem si në shtëpi, pranë miqve dhe shokëve të mi. Kjo nuk do të thotë kurrsesi se do të ketë ndonjë ndikim në lojën time se luaj ndaj ekipit të vendlindjes. Profesionistët nuk kanë emocione të tilla që të ndikojnë në lojë. Por, është një motiv më shumë për të bërë një paraqitje sa më të mirë, pavarësisht se unë luftoj për Kamzën. Sa i përket Korçës, çdo gjë është e bukur, atmosfera, tifozët, skuadra, gjithçka. Emocionet e mia do të jenë në fillim kur futem në fushë, pa nisur loja, më pas çdo gjë ikën dhe mendja më shkon vetëm te ndeshja.

Mungesat e shumta a e vështirësojnë misionin e Kamzës për të marrë rezultat pozitiv në Korçë?

Situata në skuadrën tonë është e nivelit mjaft të mirë, jemi duke u përgatitur për të dhënë maksimumin. Ndikimin e mungesave në këtë takim do ta ndiejmë, pasi Idrizaj, Malaj, Beqiri, janë mungesa të rëndësishme për një skuadër si kjo e jona. Ata janë lojtarë me eksperiencë dhe e ndihmojnë shumë ekipin. Por, jam 100% i sigurt se edhe ata që do t’i zëvendësojnë do të japin maksimumin në fushë duke mos e ndierë fort ndryshimin. Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"