Frashëri bashkohet me Skënderbeun, ja çfarë pret trajneri nga merkatoja e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2022 | 22:07

Frashëri bashkohet me Skënderbeun, ja çfarë pret trajneri nga merkatoja e janarit

Prej dy ditësh, nga Durrësi, Skënderbeu ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit. Mes përgatitjesh e testesh fizike janë duke vëzhguar mundësinë e ndërhyrjes në merkato për të shtuar alternativat në dispozicion të trajnerit Migen Memelli, por edhe për të rritur cilësisht forcën e ekipit.

ERLIS FRASHERI

Në kushte të tilla duket se Memelli do t’u qëndrojë kërkesave të tij të bëra para mbylljes së pjesës së parë të kampionatit, ku ka kërkuar nga një afrim në çdo pozicion.

Burime të konfirmuara në klub bënë me dije për “Panorama Sport” se drejtuesit e klubit janë duke menduar të afrojnë 3-4 lojtarë të tjerë për të plotësuar kërkesat e trajnerit pogradecar. Për momentin nuk ka asnjë emër dhe asnjë pistë të nisur, por presidenti Takaj dhe stafi i tij janë duke testuar lëvizjet e mundshme.

Të njëjtat burime bënë me dije për gazetën se afrimet po synohen të mbushin më tej ekipin me elementë cilësorë që do t’i hyjnë në punë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.

Nga sa raportohet, agjentët e merkatos së Skënderbeut janë duke kërkuar për një sulmues dhe dy mesfushorë, por nuk përjashtohet mundësia e afrimit edhe të një mbrojtësi qendre, që duke u nisur nga sistemi i lojës së korçarëve për Memellin, është më se i nevojshëm.

Të paktën deri në këto momente piketat janë vendosur dhe mbetet vetëm gjetja e elementëve të duhur në këtë merkato, fakt ky që është pak i sikletshëm për Skënderbeun që ka dështuar disa herë në të tilla dritaresh transferimi.

ERLIS FRASHËRI – Në dy ditët e para të grumbullimit, vetëm një lëvizje kanë zhvilluar bardhekuqtë në merkato. Prej ditës së parë të përgatitjeve në ekip është shfaqur Erlis Frashëri, i cili konsiderohet si afrimi i parë i Skënderbeut në merkato.

Frashëri pas zhvillimit të testeve fizike është bashkuar me grupin e lojtarëve në stërvitje dhe me shumë mundësi do të jetë prezantimi i parë zyrtar i Skënderbeut për pjesën e dytë të sezonit. Veç tij, asnjë lëvizje tjetër nuk ka pasur në kampin bardhekuq, jo vetëm në hyrje, por edhe në dalje.

Duket se Memelli është i interesuar fillimisht të shohë afrimet që do të realizohen nga klubi dhe më pas të vendosë se cilat do të jenë largimet e mundshme nga ekipi, gjithnjë nëse do të ketë të tilla lëvizje në këtë drejtim.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"