Franca me “3 yje”, Benzema nuk ndalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2014 | 22:51

Franca me “3 yje”, Benzema nuk ndalet

BenzemaFranca me “3 yje”, Benzema i pandalshëm. Ky është një binom triumfator i “gjelave” ndaj Hondurasit, një kundërshtari modest dhe që mbeti të luajë tërë pjesën e dytë me një lojtar më pak. Start i mbarë i francezëve në Grupin E të Botërorit 2014, teksa kanë pikë të barabarta, nga tre të tilla, së bashku me Zvicrën.


FRANCE 3:0 HONDURAS

Golat: Benzema 45′ (pen), 48′, 72′
FRANCA: H.Lloris, M.Debuchy, P.Evra, M.Sakho, R.Varane, B.Matuidi, M.Valbuena (O.Giroud 78′), Y.Cabaye (A.Mavuba 64′), P.Pogba (M.Sissoko 57′), K.Benzema, A.Griezmann. Trajner: D.Deschamps
HONDURASI: N.Valladares, M.Figueroa, E.Izaguirre, V.Bernárdez (O. Chávez 46′), B.Beckeles, W.Palacios, R.Espinoza, L.Garrido, A.Najar (J.Claros 58′), C.Costly, J.Bengtson (B. García 46′). Trajner: L.Suárez
Gjyqtarë: Sandro Meira Ricci, Emerson Augusto De Carvalho, Marcelo Carvalho Van Gasse
Kartonë të verdhë: Evra 7′, Pogba 27′, Cabaye 45+1′ / Palacios 27′, 43′, B. García 53′
Karton i kuq: Palacios 43′

 

Ndeshja Franca dominon lojën, ka në zotërim topin dhe insiston në gjysmëfushën kundërshtare që në fillim të lojës. Hondurasi, nga ana e vet, mezi del në fazën ofensive, teksa vuan shumë presingun e “gjelave”. Këta të fundit do t’i afroheshin ndjeshëm golit në minutën e 15-të, kur Matuidi, i vetëm me portën hondurase, godet rreptë, por topi plaset në tra dhe jashtë. E njëjta skemë përsëritet edhe në minutën e 23-të, kur tranversa e portës hondurase bëhet pengesë për zhbllokimin e rezultatit të bardhë. Valbuena dhe Evra nga krahët kryejnë një punë të madhe, ndërkohë që Hondurasi e ka kushtuar vëmendjen kryesore te markimi i sulmuesit kryesor francez, Benzema. Pogba filtron topat në mesfushë dhe mundohet të japë pasimin e fundit, që të afron me golin. Gjithsesi, përballë një kundërshtari të mbyllur thuajse tërësisht në mbrojtje, që mendon vetëm si të prishë aksionet e të besuarve të Deshamps, këta të fundit e kanë të vështirë të shkojnë rrjedhshëm deri në finalizim. Për pasojë tentojnë me goditjet nga distanca. Minuta e 43-të është vendimtare. Palacios bën ndërhyrje të gabuar ndaj Pogba, ndaj kryesori nuk heziton të japë penallti. Njëkohësisht akordon kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin Honduras, e rrjedhimisht të kuqin. Ky është kartoni i parë i kuq në këtë Botëror. Ekzekuton nga pika e bardhë Benzema dhe kalon Francën në avantazh, 1-0. Me këtë epërsi minimale të “gjelave”, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes, në pushimin 15 minutash. Vecse tashmë pjesa e dytë do të jetë më stërmunduese për Hondurasin, që duhet të luajë me një lojtar më pak. Dhe gjithcka vihet në shina të sigurta për francezët dy minuta pasi filloi fraksioni i dytë i ndeshjes, kur Benzema shënoi sërish. Teknologjia u vjen në ndihmë gjyqtarëve për ta njohur golin, teksa në dukje të parë ishte shumë e vështirë të konstatohej se e kishte kaluar vijën e bardhë të portës apo jo. Minutat në vijim zhvillohen tërësisht në zonën hondurase, ku francezët humbin mjaft raste ideale për gola të tjerë. Deshamps bën edhe zëvendësimet e lejuara, duke parë se e ka siguruar rezultatin pozitiv, ndaj u jep kënaqësinë e aktivizimit edhe lojtarëve të tjerë. Benzema, ndërkohë, nuk ka të ngopur në këtë ndeshje. Sulmuesi i Realit të Madridit kompleton tripletën personale në minutën e 72-të, duke i dhënë një fitore bindëse skuadrës së tij. Njëherazi, numri 10 i Francës kryeson listën e shënuesve më të mirë të këtij Botërori, për momentin, me tre gola, ndërsa nga dy gola ka Nejmari i Brazilit dhe Robi Van Persi e Arien Roben të Holandës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"