Fotografitë historike, rrëfehet Nikolin Baba: Si e surprizova yllin serb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 23:16

Fotografitë historike, rrëfehet Nikolin Baba: Si e surprizova yllin serb

UVIL ZAJMI

Admirues i sportit, tifoz i 17 Nëntorit, Nikolin Baba, një ndër fotografët profesionistë më të njohur në Shqipëri, është edhe protagonisti i fotove të rralla të realizuara në dy takimet e paharruara të 17 Nëntorit ndaj Jugoplastikës dhe Zvezdës. Kur t’i tregon, të duket sikur ka krijuar një film me metrazh të shkurtër për ato sfida. 

Nikolin Baba

“Filmi ishte bardhezi, që unë e laja siç veprohej në ato vite. Kur Rato Tvrdiç, i famshmi i Jugoplastikës erdhi në Tiranë pak vite më parë, i dhuruam një foto, ai duke luajtur ndaj 17 Nëntorit. U befasua sepse nuk e priste”.

Z. Nikolin, pse “ekskluziv” vetëm me tiranasit? 

Sportistët e 17 Nëntorit i kisha miq, si ata të basketbollit edhe të futbollit dhe më kishin dhënë “ekskluzivitetin” të futesha deri në dhomat e zhveshjes gjatë analizave, para ose në pushim ë ndeshjeve për t’i fotografuar. Por jo vetëm të 17 Nëntorit, edhe me skuadrat, klubet e tjera, me sportistët e kohës në përgjithësi mbaja miqësi, të cilën e ruaj edhe sot. Na bashkonte pasioni i madh për sportin.

Ju kujtohen ato sfida? 

Ato takime janë ndjekur dhe kanë pasur një interesim të madh. Tre breza me policë për herë të parë janë vendosur në atë ndeshje. Te Zogu i Zi, te sheshi para dhe te shkallët e pallatit të sportit. Unë kisha një fletëhyrje për në mjediset e lojërave me dorë, por për të ndihmuar miqtë e mi, dikujt i jepja çantën, një tjetri stativin, ndërsa vetë mbaja aparatin. Ishin forma për t’u futur në pallat, pasi ishte vështirë të gjeje bileta, sepse jepeshin me autorizim. Edhe brenda pallatit, në parket kishte njerëz që qëndronin mbrapa koshave, të cilët e vështirësonin punën tonë.

Si i keni ruajtur negativët?

Me shumë kujdes, bashkë me aparatin “Praktika”, objektivin nga Karls Zeis Jena, ndërsa multiblici ishte nga Gjermania Perëndimore. Filmi ishte bardhezi, që unë e laja siç veprohej në ato vite dhe negativët më kanë shërbyer deri në ditët e sotme. Ka ende kuriozitet kur sheh fotot e atyre takimeve dhe janë lojtarë, admirues, nostalgjikë, që m’i kërkojnë, të cilëve ua jap me shumë kënaqësi.

Si edhe në këtë rast për gazetën “Panorama Sport”, me dëshirën dhe mundësinë për t’iu rikthyer e kujtuar ato sfida të papërsëritshme, bashkë me protagonistët e tyre. “Praktika” juaj ka fiksuar momente të rralla… Po, janë disa gjatë dhe pas lojës. Veçanërisht ajo e Kasmit midis lojtarëve kundërshtarë, Kapiçiç e Vuçiniç. Por edhe ajo e Ahmet Shqarrit duke intervistuar Kapiçiçin janë momente që transmetojnë dhe mbartin edhe sot një vlerë sportive historike për evenimentin, por edhe për sportistët.

Më treguat se keni një foto që habiti edhe Tvërdiçin. Si është historia e saj?

Kur Rato Tvërdiç erdhi në Tiranë pak vite më parë, për çështje pune, më njoftuan edhe mua. Para se të shkoja në drekën e organizuar nga Trebicka dhe Shaka, hapa arkivin, nxora negativin me një foto të tij gjatë takimit 17 Nëntori-Jugoplastika, në pallatin e sportit “Partizani”, gjysmë shekulli më parë. E stampova në format të madh dhe pa i treguar askujt në një çast ia nxora. Ishte befasi jo vetëm për të, por edhe për të tjerët. Sigurisht që ia dhuruam.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"