Fotografi, Nika dhe… shkelma dyerve. Ja pikantet e sfidës Flamurtari-Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 23:29

Fotografi, Nika dhe… shkelma dyerve. Ja pikantet e sfidës Flamurtari-Luftëtari

Fanellat e reja nuk i sjellin fat Flamurtarit, ndërsa fotografi i klubit, Shkëlqim Ramaj, bëhet protagonist në fund pas një debati me trajnerin grek të Luftëtarit. Këto, por jo vetëm, janë disa nga pikantet që “Panorama Sport” sjell për ndeshjen e luajtur dje në Vlorë, që u ndoq nga vetëm 500 tifozë në stadiumin “Flamurtari”.

flamurtari luftetari

* Tension në fund të ndeshjes mes trajnerit të Luftëtarit, Marantas, dhe fotografit të klubit, Shkëlqim Ramaj. Duket se shkak për tensionin është bërë shikimi i fotografit, që ka tërhequr vëmendjen e trajnerit grek, i cili i ka thënë në gjuhën angleze: “Pse më shikon?”. Rama i është kthyer me fjalët: “Shiko punën tënde aty, rri urtë”.

Nga stafi gjirokastrit u pretendua se fotografi ofendoi trajnerin. Ky moment ka sjellë edhe tension, teksa ka ndërhyrë zv.trajneri Novi dhe lojtarët e stolit të të dyja skuadrave për të qetësuar situatën. “Nuk e kuptova çfarë u bë. I fola anglisht dhe ai nuk kuptoi gjë. Pas ndeshjes u sqaruam dhe ishte një keqkuptim”, sqaroi trajneri i Luftëtarit. Ndërkohë, tensioni ka vijuar edhe në tunel. Lojtarët e Luftëtarit shfryjnë nervat duke gjuajtur me grushte e shkelma dyert e dhomave.

* Në ndeshjen e djeshme me Luftëtarin, vlonjatët luajtën me fanellat e reja, të cilat ishin kuqezi dhe me vijat tradicionale të klubit.

* Andi Ribaj ishte kapiten në ndeshjen e djeshme, në mungesë të Xhavahir Sukajt për shkak të dëmtimit.

* Kreu i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, mungonte dje në tribunën VIP. Ndërsa klubi gjirokastrit përfaqësohej me drejtorin sportiv, Artur Dadaj. Mesfushori i Luftëtarit, Realdo Fili, i pezulluar nga klubi, e ndoqi dje takimin nga tribuna.

* Trajneri i Flamurtarit, Luan Birçe, ka qenë mjaft i tensionuar që në minutat e para, ndërsa gjatë gjithë kohës ka qëndruar në këmbë. Ai është kapur shpesh me arbitrin, ndërsa u ndëshkua edhe me karton.

* Në minutën e 35-të ka tension në fushë, ku pas një faulli të Dragoshit ndaj Moçkës, lojtarët kapen me njëri-tjetrin. Në këtë moment krijohet kaos, pasi edhe lojtarët e tjerë përfshihen në debat.

* Në minutën e 93-të, kur sapo kishte shënuar golin, Ansi Nika kthehet nga tribuna dhe lëshon një lumë të sharash ndaj një tifozi. Gjyqtari e ndëshkoi me karton të kuq, ndërsa lojtari iu tha shokëve në dhomat e zhveshjes se ishte i acaruar, pasi e kishin sharë sapo hyri në fushë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"