FOTO/ Tension në Shijak, trajneri Bubeqi kapet me portierin Teqja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2020 | 23:34

FOTO/ Tension në Shijak, trajneri Bubeqi kapet me portierin Teqja

Partizani B mund Erzenin. Pasi morën “hua” gjysmën e futbollistëve nga ekipi i parë, të kuqtë ia dolën të merrnin tri pikët në Shijak.

Partizani B festa logo

Ndeshja ka qenë e rivalizuar deri në fund, ku nuk mungoi as tensioni. Ishte Odeon Bërdufi që vendosi gjithçka, duke marrë një fitore të çmuar në transfertë. Për shijakasit bëhet gjithçka më e vështirë, pasi me vetëm 4 pikë i janë larguar ndjeshëm objektivit.

NDESHJA – Erzeni ushtron presion që në nisje, por pa krijuar rrezikshmëri. Ndryshe vepron Partizani B, që është më i zhdërvjellët në zonë. Bërdufi për pak sa nuk shënon, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla. Megjithatë, në të 16-ën është i njëjti protagonist që rregullon shënjestrën dhe zhbllokon shifrat. Pas një krosimi në zonë dhe në rrëmujë e sipër, shtatlarti godet dhe ndal sferën në rrjetë.

Ndeshja luhet fort kryesisht në mesin e fushës dhe me ndërhyrje të ashpra, duke e detyruar gjyqtarin të ndalë shpesh lojën. Fraksioni i parë i lojës mbyllet avantazhin minimal të miqve, të cilët vijnë më të qetë në të dytën. Janë minuta të mira për “demat”. Gjeçi me Ballën kanë mundësi për të dyfishuar, ndërsa Alimadhi ka rastin më të mirë për vendësit. Me kalimin e minutave nxehen gjakrat dhe afër finishit ka edhe nerva.

Një vonesë loje nga portieri Teqja sjell debat me trajnerin Bubeqi. Kjo përplasje verbale mbyllet me kaq dhe rinis loja. Vendësit kanë dy mundësi të arta në fund për të barazuar.

Tension ne Shijak logo

Gjuajtja e Ramillit largohet në vijën fatale nga Teqja, ndërsa pak sekonda më pas humbet edhe një mundësi tjetër fare pranë portës. Në përfundim të sfidës, Bubeqi kërkon të “sqarohet” me Teqjen, por ndërhyrja e stafeve dhe forcave të sigurisë nuk lejojnë konfrontimin midis tyre.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"