FOTO SKANDAL/ Luftëtari-Flamurtari u luajt në “moçal”, bashkia e Gjirokastrës nuk mirëmban dot as fushën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2021 | 15:35

FOTO SKANDAL/ Luftëtari-Flamurtari u luajt në “moçal”, bashkia e Gjirokastrës nuk mirëmban dot as fushën!

Luftëtari-Flamurtari duhet të ishte kryendeshja e javës së 10-të në Kategorinë e Dytë, që është një nivel i cili ka luksin këtë sezon të ketë pjesë të kampionatit dy prej klubeve të mëdha të Jugut të vendit, që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar për dekada të tëra. Mirëpo, ajo që u pa dje në Gjirokastër nuk kishte lidhje fare me futbollin.

261408367_1311744659268480_6232888078351903386_n (1)

 

Terreni ishte aq i rënduar, saqë skuadrat nuk bënin dot dy pasime, e jo më të mendonin për taktikën e lojës. Në këtë histori habiti edhe më shumë fakti se arbitri nga Laçi, Klodian Prenga, bashkë me delegatin e ndeshjes, Dashnor Dume, edhe pse e kuptuan që fusha ishte si moçal dhe topi nuk mund të qarkullonte për zhvillimin e një ndeshjeje normale, sërish insistuan që takimi të luhej.

Kjo kokëfortësi e zyrtarëve të ndeshjes i habiti shumë të dyja klubet. Kësisoj, në fushë nuk u pa futboll, por vetëm dy ekipe që mundoheshin të largonin topin sa të mundnin nga zona e tyre. Flamurtari përfitoi në minutën e 31- të, kur pas krosimit në zonë, topi mbeti në baltë dhe mbrojtësi Balla shënoi nga afër. Vlonjatët u treguan më këmbëngulës, ndërsa gjirokastritët edhe pse u munduan të shënonin me gjuajtjet e Bonit, Kodhelaj, Meçes dhe Mahmutajt, nuk ia dolën të mposhtnin Moçkën.

 

259459003_418897369893659_619116588870300050_n

Pjesa e dytë u luajt më shumë në mesfushë, ndërsa i vetmi rast që mund të përmendet ishte goditja e Ribajt nga jashtë zone, që u prit nga portieri Vllahu. Gjithçka u mbyll me fitoren 0-1 të Flamurtarit, që kryeson i vetëm grupin dhe marshon drejt rikthimit në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, gjirokastritët duken shumë të brishtë dhe larg premtimeve të bëra nga drejtuesit në fillim të këtij sezoni.

Mungesa e lojtarëve me eksperiencë po ndikon jo pak në ecurinë e bluzinjve, që dje kishin si kundërshtarë edhe emra që kanë veshur këtë fanellë, si ish-kapiteni Behar Ramadani dhe Lejdi Liçaj, të cilët janë pjesë e vlonjatëve.

STADIUMI
Quajeni degradim të stadiumit “Gjirokastra”, edhe pse prej dy vitesh nuk është zhvilluar asnjë aktivitet aty, pasi Luftëtari e nisi nga e para pas shkrirjes së klubit dhe ndeshjet e Kategorisë së Tretë i zhvilloi në kryeqytet.

Bashkia e Gjirokastrës, e cila prej një viti ka krijuar ekipin e ri, AF Luftëtari, duke bërë edhe premtime të mëdha për të ardhmen, tashmë rezulton se nuk ka ditur të mbajë si duhet as fushën e stadiumit.

261417728_428863268691516_83374693332515176_n

Kjo është një situatë e turpshme për një qytet me traditë në futboll, që kërkon të ringjallet duke u kthyer shpejt në elitë. Pamjet e djeshme të fushës nuk kanë qenë asnjëherë në këtë gjendje të mjerueshme, madje as në vitin 1997, kur çdo gjë kishte dalë jashtë kontrollit. Deri dy sezone më parë tapeti i këtij stadiumi ka qenë model, pasi edhe klubi ishte pjesë e Superiores, duke lënë jo pak gjurmë.

Tashmë është në nderin e bashkisë, si pronare e impiantit, që të reagojë urgjentisht dhe të investojë në fushën e stadiumit.

rezultat

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"