FOTO/ Revolucioni “Agostineli”, ja si ndryshon Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2016 | 13:06

FOTO/ Revolucioni “Agostineli”, ja si ndryshon Partizani

Taktikë, taktikë dhe vetëm taktikë, kjo është metoda e punës së Partizanit në drejtimin e trajnerit Andrea Agostineli.

agostineli Italiani, gjatë kësaj periudhe, e ka përgatitur ekipin më tepër në aspektin tekniko-taktik, sesa fizik. Mbase kjo zgjedhje e tij vjen nga bindja që ka krijuar për futbollin shqiptar, të cilën ai e shprehu së fundmi për “Radio Sei” në Romë.

“Në Shqipëri futbolli është mbase më shumë fizik, por në nivelin taktik nuk janë shumë të përgatitur. Kjo është gjëja e parë që kam vënë re”, u shpreh trajneri i të kuqve për radion romane. Ky perceptim i Agostinelit ka bërë që minifaza përgatitore e “demave të kuq” të fokusohet kryesisht te përgatitjet e karakterit tekniko-taktik.

partizani formacioniUshtrimet e përdorura nga trajneri gjatë kësaj kohe kanë qenë të përqendruara te loja me dhe pa top. Në të dy rastet, italiani kërkon që lojtarët të jenë në lëvizje duke respektuar rrjedhën e lojës dhe jo të mbeten në pritje të shërbimit nga shokët e skuadrës.

Ardhja e trajnerit të ri ka bërë që të thuajse të gjithë lojtarët të “zgjohen”, pasi bëhet fjalë për një teknik të ri, nga i cili pritet revolucion.

Ndryshimet në formacion

Trajneri Andrea Agostineli e ka pranuar kushtin e drejtuesve që skuadra e pjesës së dytë të jetë më agresive në sulm, gjë e cila të dërgon te një skemë 4-3-3. Ish-lojtari dhe trajneri i të kuqve, Ylli Shehu, para disa ditëve për “Panorama Sport” pohoi:

“Të gjithë trajnerët thonë se luajnë me tre sulmues, por kjo skemë quhet e aplikuar kur në fushë ke tre bombera të vërtetë, e jo një sulmues me dy mesfushorë të avancuar”. Nga ajo që është parë së fundmi, kuptohet se edhe Agostineli do të luajë me mesfushorë të avancuar, mbase i kushtëzuar edhe nga mungesat në sulm, Raçiç i dëmtuar dhe Sukaj i pezulluar. Dje, trajneri Agostineli bëri një formacion të mundshëm për ndeshjen e Kupës me Laçin dhe risitë ishin të dukshme. Binte në sy prani e Fejzullahut te skuadra jo titullare, gjë e cila lë të kuptosh se një nga shtyllat e skuadrës mund të largohet gjatë kësaj merkatoje. Mbase ka dashur të provojë njëkohësisht Ibrahimin me Vidoviçin, pasi Kalari është i dëmtuar. Ish-mesfushori i Romës, Filipe Gomes, pritet titullar, i pozicionuar para mbrojtjes, i cili nga krahët kishte Trashin dhe Dajën. Risia në sulm ishte Vatnikaj në majë, ndërsa nga krahët shërbente Vila në të djathtë dhe Mazrekaj në të majtë. Gjithsesi, miqësorja e sotme me Apoloninë do të vendosë diçka më shumë rreth formacionit të mundshëm për ndeshjen e parë të Kupës me Laçin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"