FOTO/ Kur berberi e parukieri janë luks edhe për milionerët, ja 15 lojtarët që janë qethur zero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2020 | 12:49

FOTO/ Kur berberi e parukieri janë luks edhe për milionerët, ja 15 lojtarët që janë qethur zero

 

Të shumta ishin “meme”-t fillestare që si rrjedhojë e karantinimit prej koronavirusit panë protagonist higjenizuesin e duarve e më pas letrën higjenike, por sa më shumë kalojnë ditët e mbyllur në shtëpi, aq të domosdoshëm janë bërë edhe berberët, ambiente shërbimi modeste apo shumë profesionale këto, të cilat qëndrojnë të mbyllura jo vetëm në Shqipëri, por mesa duket edhe në vendet më të zhvilluara të botës që numërojnë shumë infektime me COVID-2019.

FUTBOLLISTET TULLACE

Madje, nga frika e infektimit duket se edhe shërbimet në shtëpi nuk funksionojnë, qoftë edhe për futbollistët, të cilët dihet se paguajnë shumë mirë. Prandaj kush ka qenë zgjedhja e bërë në mungesë të berberëve e parukierëve për disa që kërkojnë edhe qethje më profesionale?

Shumë e thjeshtë, qethja e flokëve zero… Këtë modë kanë vendosur ta ndjekin jo vetëm shumë njerëz normalë, por edhe futbollistë të famshëm e multimilionerë, siç kanë postuar vetë ata në rrjetet e tyre sociale. Disa prej emrave më të rëndësishëm shoqërohen edhe me fotot si më poshtë.

Armando Ico

Për të apasionuarit e serialit “Gomorra” mund të duket sikur po shohin sozinë e Çiro Di Marcios, por mbrojtësi i Torinos e ka marrë këtë vendim jo për të konkurruar aktorin kryesor të këtij filmi, por ka qenë një zgjedhje e detyruar nga karantina.

Ico

Teo Hernandez

Koha e xhelit dhe e flokëve të kuruar ka mbaruar edhe për milanistin. Mbrojtësi i majtë spanjoll, pa dyshim një ndër risitë më të bukura të “Djallit” në sezonin aktual ka vendosur që të përdorë vetë makinën dhe të qethë shkurt flokët, me shpresën se me rifillimin e kampionatit do të rigjejë jo vetëm fushën e blertë, por edhe modelin e flokëve që kishte deri pak javë më parë.

2

Pol Pogba

Mançester Junajtid, Juventus apo Real Madrid në të ardhmen e tij? Thashethemet mbi skuadrën e radhës së mesfushorit francez janë pa doganë dhe pritet të vazhdojnë ende gjatë. Por ndërkohë një gjë është e sigurt rreth Pogbasë: pasi ka vendosur të qethë zero kokën, nuk do të ketë nevojë për një parukier shumë shpejt.

3

Hoze Gimenez

Ndoshta ka qenë një urdhër i kapitenit të tij, ose ndoshta një kopjim që i ka bërë Kpokes. Por pasi ka vendosur që të heqë “shkurret” dhe të përdorë deri në fund makinën qethëse, Hoze Gimenez, qendërmbrojtësi uruguaian i Atletikos së Madridit, ka pësuar një ndryshim të frikshëm me modelin e ri të flokëve.

4

Emiliano Buendia

Për argjentinasin e Noruiçit nuk ka ardhur ende goli i parë sezonal, por gjithsesi ai mund të mburret me 7 asiste në Premier Ligë. Ai dhe sulmuesi finlandez Temu Puki, pas qethjes së re, mund të jenë dyshja sulmuese me më pak flokë e elitës së futbollit anglez në ditët e sotme.

5

Hektor Bejerin

Për vite me radhë ishim mësuar ta shihnin të galoponte me shpejtësi në korsinë e djathtë, me flokët e lidhur thuajse bisht, ose me llastik. Por mbrojtësi i Arsenalit ka vendosur t’i çojë me pushime flokët e gjatë…

6

Eden Hazard

Ish-fantazisti që mahniste me bluzën e Çelsit mbi shpatulla, ndoshta edhe për shkak të dëmtimeve të pafundme deri tani, nuk ka mundur të ngjitet për asnjë minutë në nivelet e tij pas kalimit te Reali i Madridit. Shpresojmë që qethja zero t’i sjellë fat në vazhdim belgut…

7

Presnel Kimpembe

Siguria që ofron në prapavijë bindi trajnerin Tuihel që t’i jepte një bluzë titullari dhe duke spostuar Markuinjosin në mesfushë. Gjithsesi, më shumë bujë sesa për paraqitjet e tij bëri me qethjen zero, që mbrojtësi i PSG-së ka bërë dhe ka postuar në rrjetet sociale.

8

Morgan Shneiderlin

Në aventurën e tij të shkurtër te Mançester Junajtid ishim mësuar ta shihnim me kreshtë në kokë. Por ashtu si bluza e “Djajve të kuq”, edhe flokët janë një kujtim i vjetër për Shneiderlinin.

9

Entoni Marsial

16 gola dhe 5 asiste janë shifra të rëndësishme, që e bëjnë mjaft pozitiv sezonin e francezit me Mançester Junajtid. Gjithsesi 24-vjeçari, i cili duket sikur ka një jetë që luan me “Djajtë e kuq” ka vendosur që të shkojë përtej makinës së qethjes, duke zgjedhur briskun në kokë…

10

Duglas Luiz

Është një ndër surprizave të sezonit të sivjetshëm të Premier Ligës, duke përfunduar në radarët e shumë prej klubeve më të rëndësishme angleze. Por ylli i Aston Vilës duket se po e shijon mjaft karantinën, duke eksperimentuar edhe me qethjen zero të flokëve.

11

Saul

Te Atletiko e Madridit duket se të qethurit zero ka hyrë bindshëm në modë, prandaj pas Kokes e Gimenezit, edhe Saul ka vendosur të presë deri në rrënjë flokët.

12

Ensli Meitlend-Neils

Talenti i Arsenalit nuk po gjen shumë hapësirë, pas mbërritjes së trajnerit të ri në skuadër, Mikel Arteta. Mos ndoshta ka vendosur të eliminojë flokët, për të fituar më shumë vëmëndjen e “shefit” të tij?

13

Ander Herrera

Një nga fytyrat e reja të këtij sezoni të PSG-së pritej që të kishte një impakt më të fortë dhe të rëndësishëm në skuadër. Mos ndoshta e kishin fajin flokët për minutazhin me pikatore?

14

Jan Vertogen

Në orët e fundit është folur për një interesim serioz nga ana e Interit për të, me Murinjon që do të ishte gati të pranonte një shkëmbim me veteranin zikaltër Diego Godin. Qendërmbrojtësi belg i Totenhemit duket aq i tunduar nga ideja në fjalë, sa ka vendosur që t’i japë trurit sa më shumë mundësi për të thither oksigjen, duke shkurtuar bindshëm flokët.

15

Jeton Stamolla – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"