Foto/ Degjeneron në dhunë superndeshja e të rinjve, lojtarët sulmojnë gjyqtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2017 | 13:00

Foto/ Degjeneron në dhunë superndeshja e të rinjve, lojtarët sulmojnë gjyqtarin

Superndeshja e Grupit A për Kategorinë e Parë të të rinjve mes Shkëndijës B të Tiranës dhe AAS të Shkodrës ka degjeneruar në dhunë dhe sulm ndaj gjyqtarit. Të dy ekipet renditeshin të parat në grup me nga 45 pikë dhe synojnë që ta mbyllin garën në vendin e parë. Një takim që ishte vlerësuar maksimalisht nga skuadrat.

Ndërsa, në minutën e 90-të, kur miqtë nga Shkodra shënojnë golin e fitores me penallti, janë lojtarët e Shkëndijës që sulmojnë arbitrin kryesor Albano Stolaj.Shkendija Tirane dhune arbitrit

SULMI

Gjithçka shkonte normalisht deri në minutën e 89-të, kur rezultati ishte i barabartë 1-1. Në këtë moment ka një përplasje në zonë mes sulmuesit mik Çobaj dhe lojtarit të Shkëndijës Duraj, ku për arbitrin është penallti. Në këtë moment reagojnë menjëherë lojtarët e skuadrës vendëse duke i kërkuar llogari gjyqtarit për këtë 11-metërsh.U-19 dhune

Ka ofendime dhe të shara nga lojtarët e Shkëndijës për arbitrin Stolaj. Megjithatë, penalltia ekzekutohet nga Devis Paja që shënon golin e dytë për shkodranët. Pas saj, nis edhe sulmi. Ndërsa miqtë po festonin golin, lojtarët e Shkëndijës i vërsulen arbitrit Stolaj.

Ndërhyn menjëherë trajneri i Shkëndijës, Eglusel Adili, duke larguar lojtarët e tij, por është e vështirë që ata të qetësohen. Pas disa minutash, gjyqtari Stolaj shkon në mesin e fushës për të rinisur lojën, por sulmohet sërish nga 2-3 lojtarë të Shkëndijës që i kërkojnë llogari për 11-metërshin.Foto 3 sherri

Në këtë moment, gjyqtari vërshëllen tri herë për mbarimin e ndeshjes. Po ashtu, ka pasur edhe persona të tjera nga jashtë që janë afruar për të goditur arbitrin Stolaj, por delegati i ndeshjes e merr në mbrojtje, derisa kanë ardhur forcat private të sigurisë që qetësuan situatën. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe përgjegjësi i arbitrave të Kolegjiumit të Tiranës, Bujar Pregja.

NDESHJA

Gjatë fraksionit të parë, skuadra e Shkëndijës luajti më mirë dhe krijoi epërsi si në qarkullimin e topit, edhe në aksionet e rrezikshme. Në të 20-ën është mundësia më e pastër për Shkëndijën, kur Jugu gjuan fort nga 22 metra dhe portieri shkodran Marku pret bukur në pozicion.

Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej pa gola, është Muça që kroson bukur në zonë dhe Xhunga godet me kokë duke kaluar Shkëndijën në avantazh. Fillimi i fraksionit të dytë nis më i bukur për shkodranët e AAS që vihen në kërkim të golit të barazimit. Rastet nuk mungojnë, por nuk ka finalizim.

Në 20 minutat e fundit, skuadra e AAS është e gjitha në sulm, por dyshja mbrojtëse Ndoj-Zeqo është e pakalueshme. Megjithatë, në të 85-ën është një kombinim i bukur brenda zonës, Haveri-Çoba dhe ky i fundit e shtyn topin në rrjetë duke barazuar rezultatin në 1-1. Për të ardhur më pas në të 90-ën, kur shkodranët shënojnë edhe golin e dytë dhe të fitores.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"