Fortuzi: Skënderbeu ia del, kroatët s’janë ata të Oto Bariçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2015 | 17:09

Fortuzi: Skënderbeu ia del, kroatët s’janë ata të Oto Bariçit

salihiIndrit Fortuzi dhe Alpin Gallo janë dy shqiptarët e vetëm që i kanë shënuar Dinamos së Zagrebit. Ka ndodhur në vitin 1996, kur luhej gjithashtu për Ligën e Kampioneve, por rezultati final ishte katastrofik në dëm të bardhebluve: 10-2… Ndeshja e parë përfundoi 4-0 në Zagreb, ndërsa e kthimit me rezultatin 6-2 në Tiranë.

Bëhej fjalë për Shqipërinë e viteve të vështira, ku edhe futbolli endej rrugëve të ashpra. “Nuk është Dinamo e frikshme e atyre viteve dhe Skënderbeu nuk është si Tirana e asaj periudhe. Diferenca mes të dyjave është shumë më e vogël, ndoshta edhe nuk kanë fare diferenca…”, thotë Indrit Fortuzi për “Panorama Sport”.

Ish-bomberi bardheblu, por njëkohësisht edhe ish-trajner i Skënderbeut para pak vitesh, thotë se korçarët kanë shanse të mira. “Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë, por mbi të gjitha nuk ka asgjë për të humbur. Presioni është i gjithi mbi Dinamon e Zagrebit. Skënderbeu duhet të bëjë lojën e tij dhe jam i bindur se Dinamo e Zagrebit do vuajë shumë. Kroatët mund t’ia dalin sepse kanë më shumë eksperiencë, por jam i bindur se Skënderbeu do të jetë një kockë shumë e fortë për ta”, vazhdon Fortuzi.

Indrit, ju keni luajtur kundër Dinamos së Zagrebit në vitin 1996, madje edhe u keni shënuar atyre, por në fund rezultati i përgjithshëm i të dyja ndeshjeve ishte 10-2 në dëm të Tiranës… Kaq e frikshme është Dinamo e Zagrebit?

Duhet ta korrigjojmë këtë “është”… Duhet thënë se Dinamo e Zagrebit “ishte” ekip i vështirë për shqiptarët në atë periudhë. Kishte shumë komponentë që e bënin superfavorite karshi nesh… Sot, nuk është më ashtu. Diferenca mes kroatëve dhe Skënderbeut nuk është si ajo e para 19 viteve. Ndoshta edhe nuk ka fare diferencë momentalisht…

Është përmirësuar Skënderbeu apo ka rënë Dinamo?

Ndoshta të dyja bashkë. Skënderbeu sot pa dyshim që është një skuadër shumë cilësore dhe me më shumë eksperiencë. Dinamo ndërkohë nuk është më ajo e atyre viteve. Dinamo vazhdon të ketë në krahun e saj traditën e madhe në Europë, por nuk ka më atë brez lojtarësh që ka pasur asokohe. Një shembull: kundër nesh, mbrojtës ishte Dario Simiç, që më pas luajti për vite të tëra me Milanin dhe Interin… Por kishte edhe portierin e Kroacisë, Ladiç, një sulmues të shkëlqyer si Cvitanoviç etj… kishin brez, por edhe traditë. Ne na mungonte eksperienca.

Vetëm eksperienca?

Edhe organizimi i klubit nuk ishte ai që ka Skënderbeu sot… Mbaj mend që atë vit Tirana pati probleme edhe me fazën përgatitore. Shkuam në Slloveni dhe më pas u kthyem sepse patëm një problem, por nuk e mbaj mend se çfarë ishte realisht. Dua të them se organizimi i klubit tonë në raport me Dinamon ishte shumë ndryshe. A ju vjen keq që sot është Skënderbeu në këto nivele dhe jo Tirana? Po, të them të drejtën, po. Më vjen pak keq, sepse Tirana pati mundësinë që të bëhej si Skënderbeu i sotëm, por shumë projekte nuk u realizuan dhe shumë gjëra nuk shkuan si duhet.

A është një shembull për t’u ndjekur Skënderbeu, edhe pse i kritikuar në fillimet e tij?

Po, mendoj se Skënderbeu sot është një shembull për t’u ndjekur. Pak llafe, shumë punë dhe çdo gjë brenda “gardhit” të vet. Pa u marrë me të tjerët… Kjo është shumë e rëndësishme.

Ju keni punuar në Korçë si trajner…

Po, dhe kam kaluar shumë mirë. Sigurisht, atëherë Skënderbeu ka qenë në Kategorinë e Dytë, por gjithsesi kam kaluar shumë mirë. Më pëlqente shumë klima dhe fakti që njerëzit ishin të kulturuar dhe sportdashës. Por ama kishte edhe terren ku mund të ndërtohej diçka për futbollin nëse kishe dëshirë. Sot, në Tiranë nuk kemi as terrene edhe nëse dikush kërkon të investojë.

Le të kthehemi te ndeshja me Dinamon e Zagrebit. Pë- suat gol që në minutën e parë, pastaj e përmbysët rezultatin në 2-1 dhe më pas pësuat sërish pesë gola… Si ka mundësi?

Goli im besoj se i dha zemër skuadrës dhe ishte një moment kur dhamë gjithçka kishim. Dinamo ndoshta nuk e priti atë lloj ritmi aq të lartë apo atë impenjim aq të madh nga ne dhe për disa minuta nuk ishte edhe aq e përqendruar. Më pas, na “shtrënguan dhëmbët” dhe shkoi ashtu si shkoi… (qesh). Pastaj, mos harroni që atë vit Dinamo e Zagrebit kishte një “usta” në stol si Oto Bariç. Ai i kishte dhënë shumë autoritet skuadrës.

Sa shanse ka Skënderbeu që t’ia dalë nesër? Ka shumë shanse. Më besoni!

Pse?

Sepse i kam parë kroatët në dy ndeshjet e fundit me Molden ku barazuan 1-1 dhe 3-3. Nuk kanë diferenca me Skënderbeun. Janë një skuadër shumë cinike, dakord, por kanë edhe pika të dobë- ta. Por, e theksoj edhe një herë, Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur dhe ky është një plus i madh. Nuk pashë ndonjë gjë mbresëlënëse te Dinamo. Kishte dy apo tre elementë të mirë, por edhe Skënderbeu ka disa të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"