“Formula dëmtoi garën”, flet ish-mbrojtësi Hasalla: Lushnjës i duhen 12 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 0:32

“Formula dëmtoi garën”, flet ish-mbrojtësi Hasalla: Lushnjës i duhen 12 afrime

Blerim Hasalla mendon se formula e kampionatit e dëmtoi Kategorinë e Parë. Një nga futbollistët më të spikatur të Lushnjës sheh si zgjidhje vetëm rikthimin e skemës klasike me dy faza.

HASALLA

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-anësori i verdhejeshilëve, Skënderbeut, Luftëtarit, Besës dhe Tomorit shprehet se edhe ndalesat e shumta mes javëve po e tkurrin ndjeshëm interesin. “Të luhet një kampionat me 8 skuadra dhe i shtrirë në 8 muaj, nuk është diçka normale.

Në minigrupin e dytë, skuadrat janë të pozicionuara dhe e kanë përfunduar objektivin. Zhvillimi i fazës së tretë me ndalesa e ka tkurrur edhe më shumë interesin. Mendoj se rikthimi për sezonin e ardhshëm në një grup të vetëm me 16 skuadra do të ndihmojë cilësinë e garës. Është një formulë klasike, por që nuk është gjithçka”, tha fillimisht trajneri i 13-vjeçaëve të lushnjarëve.

Hasalla

Më tej ai u ndal te sezoni i Lushnjës, që e cilëson mesatar. Megjithatë, evidenton që për sezonin e ri duhet patjetër ndërhyrje cilësore në merkato. Mendoj që sezoni i Lushnjës ishte në nivele mesatare. Me tri skuadrat e kreut, Lushnja ka fituar vetëm dy pikë. Pjesën më të madhe të tyre e ka marrë përballë Elbasanit, Flamurtarit dhe Besës.

Besoj se në fund të sezonit, Lushnja do të jetë në krye të zonës ‘play out’, që është maksimumi për këtë skuadër. Ndërsa për sezonin e ardhshëm, Lushnja duhet të kryejë një merkato të gjerë. Nëse do të pretendojë elitën, të paktën duhet të afrojë 10-12 futbollistë, por edhe sistemimi i një terreni stërvitor”, përfundoi Hasalla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"