Formula 1/ Vershtapen si përbindësh triumfon në Brazil, dy Ferrarit përplasin njëra-tjetrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 9:14

Formula 1/ Vershtapen si përbindësh triumfon në Brazil, dy Ferrarit përplasin njëra-tjetrën

Një e diel e jashtëzakonshme për Maks Vershtapen, që arrin të bëjë një paraqitje fantastike në Çmimin e Madh të Brazilit, duke triumfuar pas një gare spektakolare, ku arriti të bënte dy parakalime të shkëlqyera ndaj kampionit Luis Hamilton. Vendi i dytë shkoi për pilotin e Toro Rosso, Pierr Gasli, ndërsa në shkallën e tretë të podiumit u ngjit Karlos Sainz i McLaren.

Max-Verstappen

Çmenduri në momentet finale nga Lëklerk dhe Fetel, ku dy pilotët e Ferrarit përplasen me njëritjetrin duke përfunduar jashtë. Ai që zakonisht është i pari që e humbet toruan, është treguar më solidi në Interlagos. Bëhet fjalë për Maks Vershtapen, i cili zhvilloi një garë fenomenale, duke i menaxhuar me shumë pjekuri situatat e vështira që ofroi gara e djeshme. 22-vjeçari i Red Bullit i dha leksion një kampioni si Luis Hamilton. Holandezi u nis nga “pole position” dhe e ruajti pozicionin pas një starti të mirë, por më pas u kalua nga Hamilton.

Megjithatë, Vershtapen tregon të gjithë egon e tij, duke e rifituar sërish kreun. Holandezi e humbet përsëri vendin e parë ndaj britanikut në momentin kur në pistë futet “Safety car”, por me shumë grintë e parakalon për herë të dytë kampionin e botës, duke marrë kështu një fitore të stërmerituar.

191539884-78a7acd4-1777-4e8a-96b3-713f7effcef6

Ata që e humbën toruan ishin pilotët e Ferrarit. Fetel dhe Lëklerk bëjnë një gabim trashanik, duke u përplasur midis tyre disa xhiro nga fundi, kur ishin në luftë për vendin e katërt. Të dyja “kokëkuqet” përfundojnë në jashtë piste, duke u parkuar në bar. Fetel ishte gjatë gjithë kohës në hije, duke u kaluar që në nisje nga Hamilton e më pas edhe nga Albon.

191539942-85dc12a9-a4f5-4361-9d77-27a0af9375ea

Fundi i garës ishte vërtet i çmendur, teksa Hamilton, në kërkim të vendit të dytë, nxjerr jashtë gare tajlandezin e Red Bullit, Albon. Për këtë britaniku penalizohet dhe zbret në vendin e shtatë. Kështu Albon dhe Sainz përfitojnë nga e gjithë kjo situatë dhe arrijnë të dy të ngjiten në podium.

FERRARI, NË KAOS 

Një garë për t’u harruar për Ferrarin, me dy pilotët që dëmtojnë njëri-tjetrin. Ndonëse shumica mendon se ishte Fetel fajtori për aksidentin, piloti gjerman nuk mendon aspak kështu:

191539355-fe4153e6-37b6-41a6-97b6-03a36afad711

“I ngushtova rrugën? Jo aspak, unë po shkoja drejt”, deklaroi menjëherë pas garës Fetel. Gjermani, madje, ishte ankuar edhe në radio duke akuzuar kolegun: “Çfarë dreqin bëri?”, ishte shprehur gjermani. “Është një mëkat për skuadrën, pasi meritonim një rezultat të mirë. Mendova se kishte kaluar dhe nuk e di si erdhi kontakti”, përfundoi Fetel. Ndërsa Lëklerk u shfaq i rezervuar në lidhje me incidentin: “Nuk dua të flas për këtë gjë, pasi punët ‘e pista’ lahen brenda shtëpisë. Kjo që ndodhi nuk do të ndikojë aspak në raportin tonë. Më vjen keq, pasi ishim në luftë për kreun”, tha 22- vjeçari.

Ndërsa ai që nuk kursen asnjërin prej pilotëve është Matia Binoto. Shefi i Ferrarit është shumë i pakënaqur nga ajo që ndodhi në pistë: “Lëklerk dhe Fetel duhet ta kuptojnë që kanë dëmtuar të gjithë skuadrën. Ishin të lirë të garonin midis tyre, por këto gabime të vogla i paguan e gjithë skuadra”, deklaroi Binoto

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"