FORMULA 1/ Vershtapen nuk njeh rivalë, Red Bulli dopietë në Bahrejn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2023 | 10:05

FORMULA 1/ Vershtapen nuk njeh rivalë, Red Bulli dopietë në Bahrejn

Sezon i ri, skenar i vjetër! Maks Vershtapen dhe Red Bulli e kanë nisur me këmbë të mbarë Botërorin 2023 të Formulës 1. Holandezi ka triumfuar bindshëm dje në Çmimin e Madh të Bahrejnit, duke treguar superfuqinë e tij përballë rivalëve.

3589993-73109028-2560-1440

Ndërsa me vendin e dytë të Serxho Perezit, Red Bulli kompletoi të dielën perfekte me dopietë në Sakhir. I nisur nga “pole position”, Vershtapen e “vrau” garën me një performancë si lideri, duke fituar me diferencë nga rivalët. Nisje e shkëlqyer edhe për Fernando Alonson, teksa spanjolli i Aston Martin fitoi duelin me Karlos Sainzin e Ferrarit, duke plotësuar shkallën e tretë të podiumit, ndërsa piloti i “Kokëkuqes” duhet të kënaqet me vendin e katërt, por me diferenca të mëdha nga kreu. Me Sharl Lëklerkun të tërhequr në xhiron 41 pas problemeve në motorin e njëvendëshes së tij, Formula 1 nis me hap fals për Ferrarin.

Makina italiane nuk kishte ritmin e duhur, ndërsa edhe një herë tjetër u shfaqën problemet me besueshmërinë. Luis Hamilton e fillon sezonin me një vend të pestë, ndërsa pas tij vijnë me radhë Lanse Stroll në vend të gjashtë, Xhorxh Rasëll në vend shtatë, Velteri Botas në vend të tetë, Pierr Gasli në vend të nëntë dhe Aleks Albon plotëson “top-10”-shen. Kështu, botërori i shumëpritur që fillon menjëherë me makth te Ferrari dhe me magji që në start në kampin e Red Bullit. Makina austriake konfirmohet se mbetet ajo për t’u mundur edhe në këtë edicion, ndërsa piloti holandez nis në mënyrën më të mirë gjuetinë për titullin e tretë radhazi në F1. Ndërsa Ferrari, përveç synimeve për të rivalizuar për kreun, duhet të bëjë kujdes dhe shikojë edhe nga pas, ku tashmë nuk duhet t’i bëjë llogaritë vetëm me Mercedesin, por edhe me Aston Martin e Fernando Alonsos. Ky i fundit ishte edhe surpriza më e bukur e garës së parë sezonale në Bahrejn.

1 2

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"