FORMULA 1/ Vershtapen, nostalgjik për Mercedesin: Do të rikthehen në lojë, titullin e vendosin… detajet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2022 | 23:27

FORMULA 1/ Vershtapen, nostalgjik për Mercedesin: Do të rikthehen në lojë, titullin e vendosin… detajet

Korriku është shumë i nxehtë edhe në Formulën 1 me plot katër gara në kalendar, teksa tashmë janë zhvilluar dy të parat nën diktatin e Ferrarit, ndërsa mbeten Çmimi i Madh i Francës dhe ai i Hungarisë për të kompletuar kalendarin mujor. Lideri i kampionatit, Maks Vershtapen, kërkon reagimin për t’i forcuar edhe më shumë pozitat dhe për të shkëputur në krye, në një pikë të sezonit kur po rikthehet fuqishëm në lojë Ferrari.

SI202112120260_hires_jpeg_24bit_rgb

Në prag të garës franceze, Vershtapen befason, teksa shfaqet nostalgjik për duelin e vitit të kaluar me Mercedesin. Sigurisht që në fokusin kryesor të pilotit të Red Bullit mbeten makinat Ferrari, por kampioni në fuqi i botës parashikon një pjesë të dytë të sezonit me protagonistë edhe dyshen e Mercedesit, Hamilton-Rasëll, të cilët sipas tij do të jenë në gjendje për të luftuar për podiumin si dhe mund të ndikojnë edhe në fatet e titullit.

“Vitin e kaluar beteja nuk ishte vetëm mes meje dhe Hamiltonit, por mbi të gjitha mes skuadrave tona. Mes meje dhe Luisit ka respekt reciprok. Nëse njëri prej nesh bën një garë të madhe, nuk e kemi aspak problem që t’ia njohim meritat njëri-tjetrit. Natyrisht që në këtë moment nuk jemi konkurrentë direktë, por do të rikthehemi që të jemi. Gjërat mund të ndryshojnë përsëri, ndoshta rreth fundit të sezonit. Të shikojmë”, shprehet Vershtapen, teksa flet me nostalgji për rivalin britanik.

A do të jetë Mercedesi një peshore për titullin mes Red Bullit dhe Ferrarit? Vershtapen mendon që po, teksa thotë se Hamilton dhe Rasëll mund të kenë rolin e arbitrin në duelin mes tij dhe ferraristit Lëklerk. Pikërisht ky është edhe skenari që profetizon piloti holandez, i cili e mbyll prononcimin e tij duke analizuar paraqitjet e “shigjetës së argjendtë” gjatë garave të fundit. “Mercedesi është përmirësuar shumë në raport me fillimin e sezonit, por duhet të rriten edhe më tepër. Në xhiro teke nuk janë keq, por në distancë, ashtu sikurse e pamë edhe në Austri, iu shkëputën shumë shpejt.

Por mendoj që kjo ka të bëjë edhe me ndryshimet e cirkuiteve. Në Silverston për shembull ata ishin shumë të shpejtë edhe gjatë garës. E njëjta gjë ndodh edhe në sfidën mes nesh dhe Ferrarit. Kështu që në fund do të jenë detajet ato që do ta bëjnë diferencën”, përfundon Maks Vershtapen. Holandezi në këtë sezon ka fituar 6 gara dhe është ngjitur 8 herë në podium, teksa pozicionohet në vend të parë me 208 pikë, 38 më shumë se ndjekësi më i afërt, Sharl Lëklerk, që mban vendin e dytë me 170 pikë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"