FORMULA 1/ Vershtapen, fitore me aromë titulli në Meksikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2021 | 10:47

FORMULA 1/ Vershtapen, fitore me aromë titulli në Meksikë

Maks Vershtapen ka marrë një tjetër fitore në Formulën 1, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion, kur kanë mbetur edhe 4 gara nga përfundimi i Botërorit. Piloti i Red Bullit dominoi totalisht dje në Çmimin e Madh të Meksikës, duke e thelluar në 19 pikë avantazhin me kundërshtarin e tij, Luis Hamilton.

VERSHTAPEN 1

Ky i fundit e mbylli garën në vend të dytë, ndërsa podiumi u plotësua nga piloti tjetër i Red Bullit, meksikani Serxho Perez, i cili bëri një paraqitje mjaft të mirë para publikut të tij, madje duke provuar deri në fund për të parakaluar kampion në fuqi të botës, por pa sukses.

Një garë e dominuar nga makinat Red Bull, ku Vershtapen, i nisur nga vendi i tretë, që në start arriti të parakalonte dy makinat Mercedes. Makina gjermane nuk dha atë që pritej, ndonëse nisej nga pozicionet e kreut me dy pilotët e saj.

Botas, madje, pësoi aksident dhe u detyrua të zbresë në vendet e fundit. Kështu Maks Vershtapen mori një fitore bindëse duke bërë një garë më vete, për ta kaluar binishin me më shumë se 16 sekonda diferencë nga rivali britanik. Ndërkohë për sa u përket pilotëve të Ferrarit, Sharl Lëklerk e përfundoi i pesti, ndërsa Karlos Sainz i gjashti.

VERSHTAPEN – Pas garës në meksikane, holandezi i Red Bullit u shfaq i lumtur me suksesin, duke që afron edhe më shumë me titullin e parë kampion në karrierë. “Pista e gjerë më dha mundësinë të hidhesha në sulm. Arrita të marr komandën dhe më pas pata mundësinë që të përqendrohesha te vetja. Rruga drejt titullit është ende e gjatë, por tani ndodhemi në një pozicion të mirë.

Gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi në Formulën 1 situata përmbysen shumë shpejt”, deklaroi Maks Vershtapen. Gara e radhës do të jetë të dielën e ardhshme në Brazil.

2

1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"