FORMULA 1/ Vershtapen feston në Amerikë, Luis Hamilton në vend të dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2021 | 9:47

FORMULA 1/ Vershtapen feston në Amerikë, Luis Hamilton në vend të dytë

Maks Vershtapen ka dalë si triumfator nga Çmimi i Madh i Amerikës në Formulën 1, duke lënë pas në vendin e dytë rivalin Luis Hamilton, për ta dyfishuar tashmë avantazhin e pikëve kundrejt kampionit në fuqi.

VERSHTAPEN

I nisur nga “pole position”, holandezi i Red Bullit festoi në Austin një sukses mjaft të bukur që e afron edhe më tepër me titullin kampion. Ndërkohë, për britanikun nuk mjaftoi ai start perfekt i garës, ku menjëherë mori kreun.

Mercedesi reagoi një apo dy xhiro me vonesë pas pit stopit të parë të Vershtapenit, me këtë të fundit që mori vendin e parë për ta ruajtur më pas deri në fund.

Megjithatë, për holandezin nuk ishte e lehtë, pasi në pjesën finale të garës i duhej që ta sfidonte me goma shumë të konsumuara në raport me ato të Hamiltonit.

Gjithsesi numri 33 i Red Bullit ia doli ta ruajë kryesimin, duke festuar në një cirkuit ku në letër favorite konsiderohej skuadra Mercedes.

Falë kësaj fitoreje, Vershtapen shkon në kuotën e 287,5 pikëve, kundrejt 275,5 të britanikut, kur kanë mbetur edhe 5 gara deri në fund të kampionatit.

Për sa i përket bonusit prej 1 pikë të xhiros më të shpejtë, ai shkoi për Hamiltonin, i cili në ndjekje të rivalit, arriti të shënojë kohën më të mirë.

Dueli Vershtapen-Hamilton ka eklipsuar praktikisht pjesën tjetër të garës. Në shkallën e tretë të podiumit u ngjit makina tjetër Red Bull e Serxho Perezit. Ferrari i gëzohet vendit të katërt me Sharl Lëklerk, ndërsa Karlos Sainz nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë.

Ndërkohë, Valteri Botas, piloti tjetër i Mercedesit, e përfundoi garën i gjashti. Formula 1 do të rikthehet më 7 nëntor me Çmimin e Madh të Meksikës.

F1

 

F1 2 (1)

F 1 3

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"