FORMULA 1/ “Varfërohet” Mercedesi, Botas firmos me ‘Alfa Romeon’. Hidhen hipotezat për shokun e ardhshëm të Hamilton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 15:21

FORMULA 1/ “Varfërohet” Mercedesi, Botas firmos me ‘Alfa Romeon’. Hidhen hipotezat për shokun e ardhshëm të Hamilton

Ndonëse duhen edhe 8 gara për të mbyllur sezonin, në Formulën 1, merkato e pilotëve është më e ndezur se kurrë. Vetëm disa ditë pas njoftimit për tërheqjen e Kimi Raikonenit në fund të këtij Botërori, Alfa Romeo Racing nuk humbet kohë dhe menjëherë prezanton pilotin e ri.

botas

Nuk është një emër dosido, pasi njëvendëshja për vitin 2022 do t’i besohet Valteri Botasit. Kështu zërat që qarkullonin prej kohësh, tashmë janë realitet, pasi kalimi i finlandezit nga Mercedesi tek Alfa Romeo është zyrtar. Ndërkohë, kanë ardhur edhe fjalët para të 32- vjeçarit, i cili komenton transferimin në skuadrën e re: “Hapet një kapitull i ri në karrierën time agonistike. Jam shumë i emocionuar që do të bashkohem me një skuderi ikonike si Alfa Romeo, një markë që nuk ka nevojë për prezantim. Po pres me padurim që t’ia shpërblej besimin që më kanë dhënë. Jam më i uritur se kurrë për të arritur rezultate të mëdha”.

Finlandezi gjatë karrierës së tij në Formula 1 numëron 9 fitore, 63 podiume dhe 17 “pole position”, ndërsa është shpallur edhe dy herë nënkampion bote në vitet 2019 dhe 2020. Ndërkohë shefi i skuadrës Alfa Romeo, Frederik Vasër u shpreh kështu për nënshkrimin me finlandezin: “Po afrojmë në ekip një pilot me eksperiencë, i cili do të na forcojë edhe më shumë. Botasi është njeriu i duhur për Alfa Romeon dhe më ketë afrim kemi bërë një hap përpara në drejtim të kreut të renditjes”. Alfa Romeo zbuloi se Botasi ka firmosur një kontratë dy vjeçare, ndërsa ende nuk janë zbuluar detajet ekonomike të kësaj marrëveshje.

botas

EFEKTI DOMINO, RASËLL TE MERCEDESI – Kalimi i Botasit tek Alfa Romeo pritet të shkaktojë një efekt domino në merkaton e pilotëve të Formulës 1. Kështu, në sedilen e mbetur bosh te Mercedesi, përjashto këtu ndonjë surprizë të madhe, me shumë mundësi do të ulet Xhorxh Rasëll. Ky i fundit prej tri vitesh është pjesë e skuadrës Uilliams, me të cilën mori edhe podiumin e parë në karrierë, disa ditë më parë në Spa. Është pikërisht Rasëlli zgjedhja e parë e skuderisë kampione në fuqi, ndonëse së fundmi është përfolur edhe emri i Nik DeVries, fitues i freskët në Formula E me skuadrën nga Shtutgarti. Megjithatë, DeVries projektohet gjithashtu edhe si një pilot i mundshëm i Uilliamsit.

FLET TOTO VOLF – Transferimin e Valteri Botasit tek Alfa Romeo e ka komentuar edhe shefi i Mercedesit, Toto Volf. “Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë për ne. Valteri ka bërë një punë fantastike në 5 sezone me Mercedesin duke dhënë një kontribut të madh në sukseset tona”, deklaroi menaxheri austriak, i cili më pas e falënderoi Botasin për gjithçka që ka bërë: “Do të jetë gjithnjë pjesë e familjes Mercedes. Jam i lumtur për të që po ndërmerr një sfidë të re dhe entuziazmuese”.

Përgatiti-Artin Lleshaj

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"