FORMULA 1/ Shefi i “Kokëkuqes” kërkon të ulë euforinë: Ferrari perfekt, por favorit mbetet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2022 | 11:18

FORMULA 1/ Shefi i “Kokëkuqes” kërkon të ulë euforinë: Ferrari perfekt, por favorit mbetet…

Dopieta e mrekul lueshme e Ferrarit në garën e parë sezonale të Formulës 1 që u mbajt të dielën në Bahrejn, ka ndezur entuziazmin e tifozëve të shumtë të “Kokëkuqes”, të cilët tashmë e shikojnë kampionatin me shumë optimizëm, madje ka nga ata që flasin edhe për një duel për titullin brenda shtëpisë mes Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz.

formula 1

Matia Binoto, shefi i Ferrarit, është gjithashtu krenar me garën perfekte të skuadrës së tij, por për sa i përket së ardhmes, italiani thotë se favorite mbetet makina Red Bull.

I pyetur nëse është Ferrari F1-75 njëvendëshja më konkurruese, Binoto deklaroi: “Për të fituar kërkohet perfeksioni, pasi kundërshtarët janë shumë të fortë. Ndoshta kanë gabuar ndonjë aspekt në garën e parë dhe aty është bërë diferenca. Por edhe makina jonë ka vend për përmirësim dhe ka shumë gjëra, të cilat mund t’i shikojmë për t’i zhvilluar. Rezultati në Bahrejn erdhi si fryt i punës së madhe që kemi bërë në të gjitha frontet, duke nisur që nga përgatitjet, strategjia, pilotët dhe makina. Ishte një garë perfekte për ne”, u shpreh fillimisht Binoto, i cili më pas kërkoi që skuderia duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe mos të rrëmbehet nga euforia e dopietës.

Ndonëse Sharl Lëklerk nisej nga “pole position”, ishte skuadra Red Bull ajo që shikohej favorite për garën. Për shefin e Ferrarit, skuderia nga Milton Keynes mbetet favorite për titullin.

“Mendoj që makina Red Bull është pretendente kryesore, me Maks Vershtapenin që është kampioni në fuqi i botës. Ne në Bahrejn u përballëm me ta dhe ndoshta patëm edhe pak fat që arritëm të bënim dopietë. Një rezultat që ishte shpërblimi i bukur për skuadrën”, tha ndër të tjera Matia Binoto.

Kështu, në radhët e skuadrës nga Maranelo edhe pse i kanë bërë një nisje ëndrrash kampionatit, drejtuesit po tregohen të kujdesshëm, duke kërkuar që mos të rrëmbehen nga entuziazmi, pasi sezoni është vetëm në fillim.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"