FORMULA 1/ Red Bulli i “djeg” të gjithë, prezantimi më 3 shkurt në Nju Jork

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 23:14

FORMULA 1/ Red Bulli i “djeg” të gjithë, prezantimi më 3 shkurt në Nju Jork

Red Bulli edhe një herë tjetër i “djeg” të gjithë në start. Skuadra kampione në fuqi për konstruktorë në Formulën 1, por gjithashtu edhe për pilotë, prej dy vitesh radhazi me Maks Vershtapenin, i ka “mundur” rivalët edhe në datën e prezantimit të makinës së re.

SI202204040027_news

Kështu, sezoni i ri për kampionët do të nisë me 3 shkurt, datë kur do të prezantohet modeli “RB19”, njëvendëshe me të cilën do të garojnë Vershtapen dhe Perez në Kampionatin Botëror 2023. Red Bulli ka zgjedhur Nju Jorkun si vendin e prezantimit, ndërsa të premten më 3 shkurt do t’i hiqet mbulesa modelit “RB19”, me tifozët që do të kenë mundësinë të admirojnë makinën e re.

Skuderia me bazë në Milton Keynes, që konsiderohet edhe si favoriti kryesor në kampionat, e ka dhënë njoftimin me anë të një publikimi në faqen e saj zyrtare. Kështu, Red Bulli i ri do të shfaqet 11 ditë para Ferrarit, me italianët që kanë zgjedhur festën e Shën Valentinit për zbulimin e makinës së tyre, dhe 12 ditë para Mercedesit. “Ekip i ri, makinë e re, sezon i ri… Nju Jork (New kit, new car, new season… New York)”, shkruhej në postimin e Red Bullit.

Tashmë kanë mbetur vetëm Alfa Romeo dhe Haas, skuadrat që ende nuk kanë zyrtarizuar datat e prezantimeve të sezonit. Për sa i përket startit të Botërorit 2023, kampionati do ta ngrejë siparin me Çmimin e Madh të Bahrejnit më datë 5 mars. Pritet një tjetër sezon interesant, me Red Bullin në vijën e parë, ndërsa Ferrari dhe Mercedesi kërkojnë që t’i rrëmbejnë fronin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"