FORMULA 1/ “Nuk është më i miri i historisë”, presidenti tradhton Shumakerin: Nuk mjaftojnë titujt për..

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2021 | 15:14

FORMULA 1/ “Nuk është më i miri i historisë”, presidenti tradhton Shumakerin: Nuk mjaftojnë titujt për..

Presidenti i FIA-s i befason të gjithë duke mos e kurorëzuar si më të mirin ish-pilotin e tij në kohën e Ferrarit. “Nuk mjaftojnë titujt për të përcaktuar se cili ka qenë piloti më i madh i të gjitha kohërave”, thotë Zhan Tod. Shtatë tituj kampionë në Formulën 1, 91 gara të fituara dhe kryevepra pa fund në pistë.

shumaker

Për shumë të apasionuar të automobilizmit, Majkëll Shumaker është piloti më i mirë në historinë e kategorisë më të lartë të këtij sporti, ndonëse Luis Hamilton e ka barazuar me tituj dhe shpreson që ta parakalojë këtë sezon për të marrë kampionatin e tetë. Por, nuk e mendon kështu Zhan Tod, i cili pikërisht me pilotin gjerman hapi ciklin dominues të Ferrarit në vitet 2000-2004. Francezi ka një tjetër ide në lidhje me pilotin më të mirë të historisë.

MË I MIRI I FORMULËS 1 – Numri një i FIA-s ka shpjeguar këndvështrimin e tij për këtë çështje në një intervistë për “Canal+”. “Nuk e kam konsideruar asnjëherë Shumakerin si pilotin më të mirë të historisë, sepse kjo është diçka shumë e vështirë për t’u përcaktuar. Mendoj që ka kampionë të jashtëzakonshëm në epoka të ndryshme. Për shembull Fanxho ishte më i miri i kohës së tij, ashtu sikurse Xhim Klark.

Sot mund të themi që Luis Hamilton është numri një i kësaj periudhe. Shpesh kemi parë që për 10 vite një pilot të dominojë”, shprehet Tod, sipas të cilit nuk ka shumë rëndësi as numri i titujve të fituar në këtë çështje: “Mund t’i llogarisim kampionatet e fituara, por ky nuk është një tregues. Për shembull në epokën e Fanxhos kishte më pak gara, mund të përdorej makina e shokut të skuadrës dhe sistemi i pikëve ishte i ndryshëm. Kështu që, nuk mund të bëjmë një ballafaqim të vërtetë mes pilotëve”.

KRAHASIMI – Është e pamohueshme që shumë tifozë të Ferrarit dhe të Majkëll Shumakerit shpresojnë që Luis Hamilton të mos e konkretizojë parakalimin ndaj Maks Vershtapenit, që do të sillte edhe thyerjen e rekordit të titujve që britaniku e ndan aktualisht me ish-pilotin gjerman.

Zhan Tod ka folur për dy protagonistët aktualë të Formulës 1, duke e nisur fillimisht nga holandezi i Red Bullit:

“Më kujton Kimi Raikonenin. Është shumë i drejtpërdrejtë dhe i talentuar. Të dy janë pilotë që fokusohen 100% vetëm te gara dhe janë indiferentë për gjërat e tjera”. Më tej presidenti i FIAs tregon se ka mbetur i mahnitur nga Hamilton, për këmbënguljen që ky i fundit tregon: “E admiroj kohëzgjatjen e tij si lider, ndonëse është më e lehtë të menaxhohesh kur ke makinën më të mirë në dispozicion”.

I pyetur për një parakalim të mundshëm me tituj nga Hamilton kundrejt Shumakerit, Tod shprehet: “Do të ishte diçka e mirë për britanikun, edhe pse për momentin ajo që mund të themi është se kemi të bëjmë me dy kampionë që numërojnë nga 7 tituj”.

Mbetet për t’u parë nëse Luis Hamilton do ta ndajë rekordin me ish-kampionin e Ferrarit apo do ta ketë tërësisht të vetin në fund të këtij sezoni…

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"