FORMULA 1/ Makina apo piloti, bie poshtë teoria 80%-20%. Ja çfarë thonë studiuesit kanadezë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2022 | 23:51

FORMULA 1/ Makina apo piloti, bie poshtë teoria 80%-20%. Ja çfarë thonë studiuesit kanadezë

Në Formulën 1 ka më shumë rëndësi makina apo piloti? Është kjo një prej pyetjeve klasike që gjithnjë bëjnë fansat e kategorisë më të lartë të automobilizmit, pyetje së cilës kanë provuar që t’i japin përgjigje një grup studiuesish kanadezë të Universtitetit Letbrixh, duke analizuar tetë sezone në F1 (2012-2019).

FORMULA 1

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar pas Çmimit të Madh të Silverston, në të cilin Karlos Sainz mori fitoren e parë në karrierë me Ferrarin. Studiuesit amerikanoveriorë kanë hedhur poshtë rregullin “80-20”, një teori që i jepte 80% të meritës në rezultate dyshes makinëskuadër, ndërsa 20% i takonin aftësive të pilotit.

RRËZIMI I RREGULLIT – “Rregulli’80-20′ është i gabuar sepse nuk merr në konsideratë të gjitha variablat dhe kontributi makinëskuadër te një pilot është i mbivlerësuar”, thotë në artikull shefi i grupit kërkimor, Duane Rockerbie, i cili më pas shpjegon: “Ndikimi i tyre është vetëm 20%, ndërsa aftësitë e pilotit ndikojnë 15%. Ajo që vlen mbi të gjitha është ndërveprimi mes të treve, që ka një vlerë rreth 30-40%, ndërsa episode rastësore që ndodhin gjatë një gare, ato që quhen situata të paparashikueshme, plotësojnë pjesën e mbetur të përqindjes (25- 30%)”, deklaron studiuesi.

Kështu pilotët janë shumë më decizivë sesa mendohet pasi “furnizojnë me të dhëna të çmuara, duke kontribuuar në zhvillimin e makinës, edhe jashtë piste”, shkruhet në konkluzionet e këtij kërkimi shkencor, ku gjithashtu thuhet se “pilotët më të kualifikuar kanë një ndikim edhe më të madh në zhvillimin e makinës dhe se njëvendëshet nuk drejtohen pa pilotë të zotë”.

Një teori që rrëzon kritikat e shumta në drejtim të Luis Hamiltonit, i cili ka fituar gjashtë tituj nga shtatë, me një makinë Mercedes të pakapshme për rivalët. Një tezë që nuk qëndron, pasi mjafton t’i referohemi faktit se shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas, me të njëjtën makinë, nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të luftojë me britanikun për titullin kampion.

BOTËRORI I SEBASTIAN FETELIT – Studimi nuk mbyllet këtu, pasi së bashku me profesorin e ekonomisë, Stephen Easton, në Universitetin “Simon Fraser” në Burnabi të Kanadasë, janë bërë krahasime të dhënash statistikore për të krahasuar variacionin mes aftësisë së pilotit dhe shpenzimeve financiare të skuadrës në zhvillimin e një makine.

Sipas këtij studimi ka dalë se Botërori i 10 viteve më parë është ai me ndikimin më të madh të aftësive të pilotit në fitimin e garave. Kujtojmë se asokohe, vetëm talenti i Sebastian Fetelit i dhuroi titullin kampion Red Bullit në garën e fundit sezonale në Interlagos. Piloti gjerman në atë garë u rrotullua në start, për ta mbyllur garën me përmbysje në vend të gjashtë mes rrebeshit, duke marrë kështu në Brazil titullin e tretë kampion bote, me vetëm 3 pikë më shumë (281-278) se Fernando Alonso i Ferrarit.

KOSTOT DHE PËRMIRËSIMI – Kërkimi kanadez është ndalur gjithashtu edhe te shpenzimet minimale që u nevojiten skuderive për të përmirësuar paraqitjet e tyre në pistë.

“Një skuadër që përfundon mesatarisht në vend të dhjetë në çdo garë, duhet të shpenzojë edhe 164,6 milionë dollarë të tjerë për të përfunduar në mënyrë konstante në vend të nëntë. Që do të thotë se kërkohet një rritje si në rrogën e pilotit, e cila llogaritet mesatarisht 7,68 milionë dollarë në sezon, gjithashtu edhe të buxhetit të skuadrës që shkon rreth 195,86 milionë dollarë në sezon”, deklaron Rockerbie.

renditja

FITOJNË TË PASURIT – Ekspertët e mbyllin kërkimin e tyre me një tjetër teori, në të cilën thuhet se nëse skuadrat shpenzojmë më shumë për buxhetin dhe rrogat e pilotëve, kanë më shumë shanse për ta përmirësuar pozicionin në renditje, megjithatë sipas tyre kjo nuk është edhe aq e thjeshtë për t’u realizuar.

“Ky zbulim është mbështetur në prova rastësore. Por pilotët që transferohen në makina dhe skuadra superiore, ose që kanë fatin për ta nisur karrierën në Formulën 1 me këto skuadra, për shembull si Luis Hamilton me McLaren apo Mercedes, regjistrojnë rezultatet më të larta, mundësisht edhe tituj kampionë”, përfundon argumentimin e tij shefi i grupit kërkimor nga Kanadaja, Duane Rockerbie.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"