FORMULA 1/ Gara midis pilotëve ndizet akoma dhe më shumë, Lëklerk flet para Australisë: Më i shpejtë është… Red Bulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2022 | 19:30

FORMULA 1/ Gara midis pilotëve ndizet akoma dhe më shumë, Lëklerk flet para Australisë: Më i shpejtë është… Red Bulli

Formula 1 këtë fund javë do të ketë ndalesën e tretë sezonale, teksa mëngjesin e së dielës do të mbahet Çmimi i Madh i Australisë. Pas dy garave të para, në të cilat Ferrari ka bindur se me paraqitje, ashtu edhe me rezultate, “Kokëkuqja” vjen me shumë ambicie në Melburn.

leklerk

Megjithatë, në skuderinë nga Maranelo të gjithë e dinë se i pret një betejë e fortë, ku si rival kryesor shikohet pa diskutim Red Bulli. Në prag të këtij eventi të rëndësishëm janë prononcuar edhe dy pilotët e Ferrarit.

“Në dy garat e para kemi parë lojë strategjike me sistemin Drs dhe këtë gjë duhet të presim edhe në Australi. Madje, mendoj se këtu do ta shikojmë edhe më shumë, pasi çdo pjesë e drejtë e pistës ka vend për përdorimin e sistemit DRS, kështu që duhet të garojmë në mënyrë shumë inteligjente”, u shpreh Sharl Lëklerk në një intervistë të dhënë për “Sky Sport” në prag të Çmimit të Madh të Australisë.

Më pas, monegasku foli edhe për konkurrencën me Red Bullin, duke evidentuar shpejtësinë e madhe të rivalëve: “Në këtë moment jemi më pak të shpejtë se Red Bulli dhe duhet që të bëjmë një garë të zgjuar në përdorimin e sistemit DRS”.

Më tej, Lëklerk flet edhe për formatimin e ri të pistës në Melburn: “Ndryshimet e kanë bërë cirkuitin shumë më të shpejtë. Ndershmërisht për ne ndoshta ishte më mirë pista e vjetër, por nuk mund të bëjmë asgjë. Ajo që duhet të realizojmë është që të përmirësojmë paketën dhe të japim maksimumin. Më pas në Imola do të kemi një cirkuit që i përshtatet më shumë skuadrës sonë”, deklaroi Sharl Lëklerk.

KARLOS SAINZ – Para eventit australian është prononcuar gjithashtu edhe Karlos Sainz. Spanjolli deri më tani është ngjitur dy herë në podium dhe kërkon triumfin e parë në kampionat: “Pista e Melburnit është tërësisht e re. Ne duhet të tregohemi shumë vigjilentë që në provat e lira, për të kuptuar se si do të reagojë makina”, deklaroi 27-vjeçari madrilen.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm do të mbahen dy sesionet e para të provave të lira. Nesër në orën 05:00 do të jetë radha për sezonin e tretë, ndërsa kualifikueset nisin në orën 08:00. Për sa i përket garës, ajo do të startojë të dielën në orën 07:00.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"