FORMULA 1/ Ferrari ka përmbysur hierarkinë, një “shuplakë” që dhemb për Red Bullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 11:51

FORMULA 1/ Ferrari ka përmbysur hierarkinë, një “shuplakë” që dhemb për Red Bullin

Çmimi i Madh i Aus tralisë, i mbajtur të dielën, evidentoi superioritetin e Ferrarit mbi kundërshtarët. Pista e Melburnit pritej që t’i jepte konfirmimin Red Bullit, pas atij suksesi në Xhedah, por nuk ndodhi aspak kështu, teksa Maks Vershtapen koleksionoi tërheqjen e dytë në vetëm tri gara të sezoneve të zhvilluara.

leklerk

RB18 u pa në vështirësi në cirkuitin “Albert Park”, ndërsa Sharl Lëklerk mbajti rolin e protagonistit absolut, duke konfirmuar momentin magjik për të dhe “Kokëkuqen”.

“Shuplaka” që Ferrari u dha rivalëve në Australi ka djegur shumë. Nëse deri para kësaj gare mendohej se ishte Red Bulli favorit, tashmë parashikimet janë përmbysur.

Njëvendëshja F1-75 po tregon garë pas gare se mbetet më solidja dhe më e mira. Këtë gjë e thonë më së miri vetë numrat, teksa Lëklerk regjistron 71 pikë në vetëm 3 gara, plot 34 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Xhorxh Rasëll. Ndërsa hendeku me Vershtapenin ka shkuar në 46 pikë. Momentalisht, i riu Rasëll, duket se nuk paraqet shumë rrezik, për shkak se Mercedesi është parë në vështirësi të mëdha.

BINOTO – Për momentin e artë të Sharl Lëklerk ka folur edhe shefi i Ferrarit, Matia Binoto.

“Sharl aktualisht është më i miri që kemi parë. Kemi të bëjmë me një talent të madh, të cilin po e shfaq në pistë, ku vazhdon të rritet garë pas gare. Tani e shikoj më të pjekur në menaxhimin e gjithë fundjavës. Është më i përqendruar, si dhe më bashkëpunues në marrëdhëniet me inxhinierët, për sa i përket menaxhimit të makinës apo gomave”, shprehet fillimisht Binoto.

Ai më tej i vijon lëvdatat për pilotin monegask: “Sharl ka pasur një përshtatje shumë të mirë me makinat e vitit 2022 dhe për këtë duhet që t’i heqim kapelën. Por tani sfida e vërtetë për të është që të mbajë këtë ritëm edhe për 20 garat e ardhshme. Ai është i vetëdijshëm për këtë gjë dhe do të japë gjithçka nga vetja për ta realizuar”, përfundoi prononcimin e tij 52-vjeçari i Ferrarit.

Ndalesa e radhës e Formulës 1 do të jetë më 24 prill, teksa do të mbahet gara e katërt sezonale, Çmimi i Madh i Emilja Romanjës në Itali, event që zhvillohet në shtëpinë e Ferrarit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"