FORMULA 1/ Ferrari dështon në garën e shtëpisë, Maks Vershtapen tregohet perfekt (Notat dhe Renditja e pilotëve)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2022 | 10:15

FORMULA 1/ Ferrari dështon në garën e shtëpisë, Maks Vershtapen tregohet perfekt (Notat dhe Renditja e pilotëve)

Formula 1 mbylli fundjavën e Italisë me dominimin e Red Bullit, skuadër që bëri dopietë në shtëpinë e Ferrarit, në Imola. Maks Vershtapen dhe Serxho Perez ndanë dy vendet e para, ndërsa zhgënjeu Sharl Leklerk, i cili e mbylli me një gabim në fund, për t’u klasifikuar i 6-ti. Garë për t’u harruar edhe për Luis Hamiltonin që mbeti jashtë zonës së pikëve. Tashmë që njëvendëshet janë përshëndetur me Emilja Romanjën, le t’u hedhin një vështrim notave të pilotëve kryesorë.

maks vershtapen

VERSHTAPEN (Nota 10) – Kampioni në fuqi i botës, gaboi vetëm startin në “Sprint” për të rikuperuar sërish duke e fituar minigarën. Ndërsa në garën e së dielës, Vershtapen ishte thjesht perfekt, duke i dhuruar vetes edhe kënaqësinë e kalimit të dyfishtë të një “armiku” të vjetër si Luis Hamilton.

PEREZ (Nota 9) – Piloti tjetër i Red Bullit, Serxho Perez, gjithashtu realizoi një paraqitje fantastike. Meksikani, i cili para garës e kishte parashikuar dopietën e skuadrës së tij, e kreu me sukses misionin, ndërsa u tregua në lartësinë e duhur kur u sulmua nga Sharl Lëklerk.

LËKLERK (Nota 6,5) – Monegasku bëri një hap fals në një prej eventeve më të rëndësishme të sezonit, në garën para publikut italian. Pas garës, Sharl Lëklerk e pranoi gabimin e tij, duke kërkuar më shumë se mundësitë, gjë që i kushtoi edhe humbjen e podiumit. Megjithatë, në vlerësimin për pilotin e “Kokëkuqes” duhet marrë në konsideratë edhe makina, teksa Ferrari u shfaq një shkallë më poshtë se Red Bulli.

HAMILTON (Nota 5) – Shtatë herë kampioni i botës e kaloi të gjithë garën pas shpinës së Pierr Gaslis, duke mos mundur të bëjë parakalimin ndaj francezit, për ta mbyllur i 13-ti. Një tjetër event zhgënjyes për Luis Hamiltonin, që konfirmon edhe një herë momentin “jo” për britanikun.

RASËLL (Nota 7,5) – Me 49 pikë deri më tani, Xhorxh Rasëll lë prapa shokun e skuadrës te Mercedesi, Luis Hamiltonin, që regjistron vetëm 28. Xhorxh Rasëll largohet nga Emilja Romanja me një vend të katërt, që sigurisht mbetet rezultat për t’u vlerësuar.

renditja e piloteve

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"