FORMULA 1/ Bahreini bëhet gati të startojë çdo gjë, ja gjithçka që duhet të dini për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2022 | 9:37

FORMULA 1/ Bahreini bëhet gati të startojë çdo gjë, ja gjithçka që duhet të dini për sezonin e ri

Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht. Të dielën, më 20 mars, Formula 1 do të startojë Botërorin 2022 me Çmimin e Madh të Bahreinit. Janë dhjetë skuadra, të cilat do të marrin pjesë në kampionat, duke nisur nga Ferrari që ëndërron titullin për pilotë që mungon që prej vitit 2007, për të vijuar me markën kampione Mercedes dhe me Red Bullin e kampionit në fuqi, Maks Vershtapen.

formula 1

Por le të shikojmë një prezantim të shkurtër të të gjitha skuderive të Formulës 1.

MERCEDES – Prezantohet në Botëror me pilotët Luis Hamilton dhe Xhorxh Rasëll, me shef skuadre austriakun Toto Volf. Skuderia gjermane ka marrë pjesë në 249 gara, duke fituar 124. Mercedesi regjistron 9 tituj për pilotë dhe 8 radhazi për konstruktorë që nga 2014-ta deri në 2021-shin.

mercedes

RED BULL – Është skuadra e kampionit në fuqi, Maks Vershtapen. Holandezi do të garojë me numrin 1 në makinë dhe në krah do të ketë Serxho Perezin. Shef skuadre është Kristian Horner, ndërsa njëvendëshja ka motor Honda. Red Bulli ka marrë pjesë në 325 gara, duke triumfuar 75 herë. Kjo skuderi koleksionon 5 tituj për pilotë dhe 4 për konstruktorë.

red bull

FERRARI – paraqitet në startin e këtij kampionati me modelin F1-75 dhe shpreson që me rregulloren e re tashmë të ketë mundësinë për të luftuar për titullin kampion, sukses që mungon që prej vitit 2007 në Maranelo. Në timon do të jenë pilotët Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz, ndërsa shef skuadre mbetet Matia Binoto. “Kokëkuqja” italiane numëron 1030 pjesëmarrje në gara, ndërsa fitoret janë 238. Për sa u përket titujve, Ferrari është shpallur 14 herë kampion për pilotë dhe 16 për konstruktorë.

ferrari

MCLAREN – Ashtu sikurse në sezonin e kaluar edhe këtë vit njëvendëshja MCL36 do të paraqitet me dyshen Lando Norris dhe Daniel Rikardo. Shefi i skuadrës është Andeas Seidl, ndërsa makina ka motor Mercedes. McLaren ka konkurruar në 902 gara, duke fituar 183 herë. Titujt për pilotë janë 12, ndërsa për konstruktorë 8.

mclaren

ALPINE – Prezantohet në kampionat me modelin A522 dhe pilotët e konfirmuar Esteban Okon e Fernando Alonso. Makina vjen me risi në drejtim, teksa shefi i ri i skuadrës është Otmar Szafnauer. Makina franceze është pasuese e njëvendëshes Renault. Në Formulën 1 numëron 442 gara, 36 fitore, 2 tituj për pilotë dhe 2 për konstruktorë.

alpine

ASTON MARTIN – Vjen me një makinë ambicioze dhe kërkon të ngjitet në majën e Formulës 1 falë investimeve të manjatit Laurence Stroll. Shef i skuadrës është Majk Krak, ish-drejtues i “Bmw Motorsport”. Si pilotë janë konfirmuar Lans Stroll dhe katër herë kampioni i botës, ish-ferraristi Sebastian Fetel. Aston Marton regjistron 27 gara në F1, por ende nuk e ka provuar shijen e suksesit.

aston martin

ALFA TAURI – Pasardhëse e makinës Toro Roso, vijon të prezantohet me emrin që përfaqëson markën e re. Franz Tost është shefi i skuadrës, ndërsa pilotë janë të konfirmuarit Pierr Gasli dhe Yuki Tsunoda. Alfa Tauri regjistron 39 gara në Formulën 1, ndërsa vetëm një herë ka arritur të triumfojë, falë suksesit nga Gasli në Monza në vitin 2020.

alpha tauri

HAAS – Makina amerikane me motor Ferrari e nis sezonin me problemin Nikita Mazepin. Piloti rus është përjashtuar si rrjedhojë e sanksioneve globale, duke larguar edhe sponsorin Uralkali që mbështeste pilotin. Të gjitha këto masa janë marrë pas nisjeve së sulmeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Mik Shumaker është konfirmuar si pilot edhe për këtë sezon, ndërsa djali i legjendës Majkëll, do të ketë në krah brazilianin Pietro Fitipaldi, ky i fundit nip i ish-kampionit të madh Emerson. Shef skuadre është Guenther Steiner, ndërsa Haas numëron 122 pjesëmarrje në F1.

haas

UILLIAMS – paraqitet me një ndryshim në radhët e pilotëve, teksa Aleks Albon ka marrë vendin e të larguarit Xhorxh Rasëll dhe do të formojë dyshen me Nikolas Latifin. Shef skuadre është Jost Capito, ndërsa njëvendëshja ka motor Mercedes. Uilliams ka marrë pjesë në 813 gara dhe ka arritur të triumfojë 114 herë, ndërsa regjistron 7 tituj për pilotë dhe 9 për konstruktorë.

williams

ALFA ROMEO – Ka bërë një ndryshim total të pilotëve. Nga Mercedesi ka ardhur Valteri Botas, i cili do të formojë dyshen me kinezin Guanyu Zhou, duke zëvendësuar kështu të larguarit Kimi Raikonen dhe Antonio Xhovinaci. Makina ka motor Ferrari, ndërsa shef skuadre është Frederik Vasër. Alfa Romeo regjistron 522 gara në Formulën 1, teksa ka arritur të triumfojë vetëm 1 herë.

alfa romeo

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"