Formacioni i mundshëm/ Vllaznia me mungesa ndaj Egnatias, Sedloski: Këtë herë jemi për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2023 | 11:19

Formacioni i mundshëm/ Vllaznia me mungesa ndaj Egnatias, Sedloski: Këtë herë jemi për pikë

Vllaznia pret sërish ekipin e Egnatias, kësaj here për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Ky takim do të luhet të dielën në orën 18:00 në “Loro Boriçi”.

vllaznia

Tekniku i Vllaznisë, Goce Sedloski, foli në intervistën e zakonshme për mediat dhe u shpreh se ka besim që ekipi i tij do të dijë të korrigjojë gabimet e shfaqura në takimin e mesjavës në Kupë, në mënyrë që këtë herë të marrin fitoren dhe të barazojnë me pikë rrogozhinasit, për të tentuar më pas vendin e tretë, që të kualifikon në Ligën e Konferencës. Sipas tij, tani kanë rëndësi pikët dhe duhet më shumë kujdes. “Kësaj here luhet për kampionat dhe për pikë. Po përgatitemi sa më mirë që të mos bëjmë gabimet, që bëmë në ndeshjen e Kupës. Mendoj që do ta rregullojmë aty ku kemi gabuar”, tha fillimisht trajneri kuqeblu.

EGNATIA – Tekniku ka vlerësuar skuadrën e Egnatias, e cila duhet thënë se është kthyer në një makth për kuqeblutë. Në katër përballjet, duke përfshirë edhe atë të Kupës, që u luajt ditën e mërkurë, Vllaznia nuk ka arritur t’i mposhtë rrogozhinasit. “Egnatia ka lojtarë shumë të mirë, por ne duhet të luajmë në sulm dhe të krijojmë shanset tona. Ne kemi analizuar anët negative dhe pozitive të atij takimi. Nuk shikoj kundërshtarin, por atë që ne do të japim ne në këtë takim. Shpresoj të japim më të mirën dhe të marrim maksimumin”, vijoi Sedloski.

FORMACIONI – Gjetja e një 11-sheje stabël duket një shqetësim tani për teknikun. Siç dihet, ai nuk do të ketë Bulatoviçin dhe Smajlin, të dëmtuar, por nisur edhe nga përballja e Kupës, ai pritet të bëjë të tjera lëvizje. “Po, kemi pak problem me gjetjen e formacionit, pasi edhe Bulatoviç u dëmtua, por mendoj se hap pas hapi do të gjejmë edhe 11-shen më të mirë”, ka deklaruar tekniku kuqeblu, Goce Sedloski.

FORMACIONI I MUNDSHËM

VLLAZNIA: Zogoviç; Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj; Jonuzi, Boshnjaku, Marku; Çoba, Balaj, Latifi;
Trajner: Goçe Sedloski

vllaznia (1)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"