Formacionet e mundshme| Tomori-Flamurtari/ Beratasit gati të përfitojnë prej problemeve të vlonjatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 12:36

Formacionet e mundshme| Tomori-Flamurtari/ Beratasit gati të përfitojnë prej problemeve të vlonjatëve

Tomori u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është gati për të sfiduar Flamurtarin. Me një seancë që zgjati më shumë se 60 minuta, stafi teknik dha porositë e fundit para kësaj transferte. Trajneri u mor me çdo detaj, pasi sot pret një ndeshje perfekte. Misioni është i qartë: do të udhëtojnë vetëm për pikët e plota në Vlorë. Skuadra vjen pas një serie rezultatesh pozitive dhe nuk ka në plan që të ndalet dhe mbi të gjitha këtë javë, që kanë shansin e artë për t’u katapultuar në renditjen e përgjithshme të Kategorisë së Parë. Me Besën dhe Lushnjën që pushojnë prej kalendarit në Grupin B, një fitore do t’u jepte beratasve mundësinë që të kapnin vendin e dytë. Bledar Sinella beson te forcat e skuadrës së tij dhe mbi të gjitha puna serioze që bëjnë çdo ditë, por kërkon vlerësim maksimal të kundërshtarit. Edhe pse vlonjatët kanë mungesë të theksuar pikësh deri në këtë fazë të kampionatit, kavajasi pret që skuadra të mos “gënjehet”.
Sinella Tomori

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës u shpreh i kënaqur për formën e lojtarëve. “Kemi punuar me përkushtim maksimal gjatë gjithë kësaj jave dhe mendoj se jemi 100% gati për ta luajtur këtë ndeshje. Stërvitemi me një moto që të gjithë: skuadër, staf dhe drejtues. Serioziteti është baza e seancave tona, ndaj meritojmë që të shpërblehemi me fitoren e radhës në Vlorë. Nuk merremi me përbërjen apo renditjen që ka kundërshtari në tabelë. Vlerësimi për Flamurtarin është maksimal, ashtu sikundër kemi vepruar në çdo ndeshje tjetër. Është një takim radhe, që për ne vlen vetëm 3 pikë dhe me këtë logjikë do të futemi në fushë. Objektivi mbetet fitorja dhe skuadrën e shoh të vendosur e të motivuar për ta përmbushur këtë mision. Kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, si edhe ngjitjen në renditje. Vetëm në këtë formë do të realizojmë rikthimin në mesin e më të mirëve. Beratasit meritojnë një ekip në elitë dhe ne do bëjmë çmos që t’ia dalim këtë sezon”, përfunduar trajneri i Tomorit, që dukshëm lakmon ngjitjen në Kategorinë Superiore.
RESULI

FLAMURTARI – Trajneri i Flamurtarit Dritan Resuli shpreh keqardhjen që nuk do të jetë në pankinë në ndeshjen me Tomorin. Ekipi do të jetë më i plotë kundër beratasve, ndërsa mungesë të vetme do të ketë Denis Aliajn, i pezulluar me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. “Më vjen keq që do mungoj, megjithatë ndeshjen e kemi përgatitur për të marrë rezultat pozitiv. Por, nuk ke se çfarë të bësh. Gjithsesi, do të jem pranë ekipit dhe do të jap udhëzimet nëpërmjet telefonit, nëse do të jetë e nevojshme. Do më duhet të humbas edhe përballjen e së mërkurës kundër Elbasanin, gjithsesi besoj te grupi. Edhe pa mua, do t’ia dalin. Në takimet e kaluara për lojën dhe angazhimin që lojtarët kanë pasur në fushë nuk i kemi merituar ato rezultate. Megjithatë, do të shikojmë përpara. Besoj se djemtë do të arrijnë të dalin me një rezultat pozitiv nga ndeshja me Tomorin, pasi kemi punuar mjaft mirë gjatë gjithë javës”, përfundon Resuli.

formacionet e flamurtarit

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"