Formacion ndryshe te Teuta, Martini ruan titullarët për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 16:59

Formacion ndryshe te Teuta, Martini ruan titullarët për Skënderbeun

Teuta e nis ndaj Tërbunit në turin e parë rrugën për të ngritur sërish trofeun e Kupës së Shqipërisë. Durrsakët janë fitues në fuqi të këtij kompeticioni dhe do të kërkojnë sërish të shkojnë deri në fund. Ndeshja ndaj skuadrës pukjane, e cila militon në Kategorinë e Dytë këtë sezon, do të zhvillohet të dielën në orën 13:00 në kompleksin “Olimpik Park” në Durrës. Nga ajo çfarë u pa në stërvitjen e djeshme, trajneri Edi Martini do të hedhë në fushë një formacion ndryshe nga ai që pritet të luajë në kampionat kundër Skënderbeut.
TEUTA
Te Teuta e këtij sezoni cilësia është rritur ndjeshëm dhe nuk mund të cilësosh asnjë lojtar stoli, pasi janë të gjithë të rëndësishëm për ekipin. Megjithatë, në këtë ndeshje të parë, e cila duket e lehtë në letër, do të ketë një formacion të alternuar. Do të luajnë 2-3 lojtarë që janë pjesë e formacionit bazë, si dhe ata që nuk kanë pasur hapësirat e mundshme në miqësoret e zhvilluara këta dy muajt e fundit.

RROTACIONI
Në portë trajneri Martini pritet të besojë te titullari Frashëri, ndërsa i gatshëm është maqedonasi Celeski. Në mbrojtje do të rreshtohen L.Beqja, Pjeshka dhe Jazxhi, ndërsa në mesfushë Daja, Karabeci, Aleksi, Oshafi dhe Gruda. Sulmi do të përbëhet nga Kapllani dhe Zogaj. Të dielën lojtarët që nuk do të aktivizohen në Kupë do të stërviten normalisht në kuadër të ndeshjes me Skënderbeun të mërkurën për kampionat. Ndërkohë, dje stërvitja u zhvillua paradite në fushën ku do të luhet të dielën me Tërbunin. Përpara seancës stërvitore, Martini paralajmëroi ekipin se nuk duhet të nënvlerësojnë asnjë kundërshtar.
Edi Martini
“Duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen me Tërbunin. Është takimi i parë i Kupës, por nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne. Tërbuni nuk është kundërshtar i dobët. Kanë lojtarë të mirë, prandaj dhe duhet të futeni në fushë me seriozitet për të bërë më të mirën. Duhet të fitojmë ndeshjen dhe kualifikohemi, për të menduar më pas vetëm për kampionatin dhe takimin Skëndërbeun në Durrës”, është shprehur ndër të tjera Martini para skuadrës.

Me ndarjen e lojtarëve në grupe, stafi u kërkoi futbollistëve zbatimin e detyrave tekniko-taktike. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Me ekipin është rikthyer tashmë edhe sulmuesi Krasniqi, i cili gradualisht po rikuperohet nga dëmtimi në shpatull dhe shumë shpejt do të jetë në fushë për durrsakët.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"