“Fokusi është te ana psikologjike”, Shkëmbi pret fitoren: Duhet fat, ja si mund të ndryshojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 11:50

“Fokusi është te ana psikologjike”, Shkëmbi pret fitoren: Duhet fat, ja si mund të ndryshojmë

Bledi Shkëmbi debuton sot ndaj Kukësit pas rikthimit në Durrës si trajner i Teutës. Korçari ka vetëm tri ditë që punon me skuadrën, të cilën për herë të fundit e kishte drejtuar dy vite e nëntë muaj më parë. Në intervistën për “Panorama Sport”, 43-vjeçari beson se grupi që ka në dispozicion do të bëjë kthesën, duke nisur që sot në orën 17:45, në stadiumin “Niko Dovana”. Shkëmbi thekson se ka gjetur një ekip në gjendje të mirë fizike, ndërsa shpreson që sot të ketë fat.

bledi shkembi

Bledi, si ju është dukur skuadra në këto tri ditë që e keni stërvitur?

Skuadra më është dukur mirë, të paktën nga ana fizike dhe mënyra se si janë stërvitur djemtë. Më pëlqen angazhimi i tyre, por patjetër që pas rezultateve të fundit jo të mira, është normale që në çdo ekip mund të ketë edhe ngërç psikologjik. Kemi punuar për këtë pjesë me skuadrën, duke u thënë djemve që janë vetëm tri javë dhe e kanë vetë ata në dorë ndryshimin. Është vetëm fillimi i kampionatit, kështu që duke nisur nga ndeshja e sotme me Kukësin, do të mundohemi të bëjmë një performancë ndryshe, por sigurisht edhe të fitojmë.

E nisni ndaj Kukësit, që pozicionohet i fundit në renditje pas tri javësh. Çfarë ndeshje prisni?

Sigurisht që pres një ndeshje të vështirë, ashtu siç do të jetë në fakt çdo javë e këtij kampionati. Kundër të gjithëve do ta kemi të vështirë dhe nuk mendoj se aktualisht në Superiore ka ndonjë skuadër të lehtë, e aq më tepër Kukësi. Jemi në të njëjtat pozita, por pavarësisht tri javëve të para, unë mendoj se Kukësi ka lojtarë cilësorë dhe një grup të mirë. Si çdo skuadër që rindërtohet, natyrisht në fillimet e veta do të ketë probleme, por mua më intereson ajo që do të bëjmë ne në fushë dhe jo kundërshtari. Shpresoj që ekipi të jetë në një ditë të mirë dhe të kemi edhe fatin me vete.

Ka diçka që ju shqetëson para kësaj ndeshjeje?

Do të doja t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion dhe sidomos ata të repartit të mbrojtjes. Për fat të keq, të dy qendërmbrojtësit i kemi të dëmtuar, por nuk kemi se çfarë të bëjmë. Kampionati është i gjatë dhe gjithmonë do të kemi të tilla probleme. E rëndësishme është që lojtarët, të cilët do të aktivizohen, të bëjnë maksimumin e tyre.

Çfarë do të ndryshoni në ekip?

Nuk kam se çfarë ndryshoj, por në këto pak ditë jam munduar që të punoj më tepër me ekipin nga ana psikologjike. Pjesa tjetër u takon futbollistëve, për më tepër janë një grup që e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi kanë kohë që luajnë bashkë te Teuta. Edhe unë si trajner, mendoj se i njoh mirë dhe gjithashtu ata deri diku e dinë se çfarë kërkoj dhe idetë që kam për lojën. Megjithatë, duhet të kuptojmë se në futboll ndodh që të ndryshohen shpejt situatat duke fituar ndeshjet. Janë pikët ato që të bëjnë të ndryshojë humori dhe entuziazmi në skuadër. Shpresoj që së pari ne të fitojmë ndaj Kukësit dhe më pas duke qenë më të plotë, do të bëhet edhe më e thjeshtë për të gjithë ne.

Është në gjendje kjo skuadër të luajë për vendet e sipërme të renditjes?

Unë mendoj se kemi një skuadër të mirë, që është e ndërthurur me lojtarë që kanë eksperiencë dhe cilësi, por gjithashtu të rinj të talentuar. Ne do të mundohemi të rrisim të rinjtë në të mirë të klubit, por gjithmonë duke ecur gradualisht edhe me rezultate. Për momentin duhet të kalojmë këtë situatë jo të mirë, të marrim sa më shumë pikë dhe të jemi më të qetë për vazhdimësinë e kampionatit. Çdo gjë ne do ta vendosim javë pas jave dhe hap pas hapi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"