Flik sqaron: Nojer nuk preket, por Nybel është e ardhmja jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 15:36

Flik sqaron: Nojer nuk preket, por Nybel është e ardhmja jonë

Pasi Bajerni i Mynihut zyrtarizoi lëvizjen nga Aleksander Nybel, për sezonin e ardhshëm, ka qenë trajneri Hansi Flik ai që ka vendosur të sqarojë zërat e një përplasjeje të mundshme mes Manuel Nojerit dhe drejtuesve të klubit, pasi kapiteni nuk kërkon që t’i hapë vendin 23- vjeçarit, nëse nuk e frenon një dëmtim, apo diçka e përafërt me këtë. Flik3

“Manuel është dhe mbetet aktualisht portieri më i mirë në botë dhe jam i sigurt se në skuadër, por edhe të gjithë tifozët e Bajernit e mbështesin mendimin tim. Pa dyshim që edhe Nybel është një afrim shumë i rëndësishëm, do të jetë e ardhmja e kësaj skuadre, sepse jo më kot drejtuesit tanë nuk e humbën rastin për ta sjellë në Bavari këtë talent. Kjo me Nybelin ishte një goditje largpamëse, pasi një talent i tillë do i shërbejë shumë skuadrës sonë, por në të njëjtën kohë edhe vetë Aleksandrit që të stërvitet përkrah Nojerit, portierit më të mirë në botë. Po ju them gjithashtu që kjo ishte hera ime e parë dhe e vetme që e prek këtë argument”, sqaron nga Doha, 51-vjeçari Flik.

MERKATOJA E JANARIT – Lidhur me ndonjë përforcim të mundshëm, që në janar, Hansi Flik nuk ka kërkesa specifike. “Nuk është e lehtë që të përforcohesh në janar me elementë të rëndësishëm, por ndoshta do të vëzhgojmë dhe mund të bëjmë diçka nëse na vjen mundësia e duhur. Personalisht më duhet të mendoj për grupin aktual që stërvis, por nëse do më duhej të zgjidhja, do të kërkoj një mbrojtës të djathtë, pasi aty kemi vetëm Pavarin, në mënyrë që në raste specifike të mos më duhet të spostoj Xhushuan nga mesfusha në mbrojtje”. Flik

OBJEKTIVAT SEZONALË – Lidhur me atë çfarë pret nga 2020-ta, trajneri i Bajernit del hapur: “Të mbyllësh i dyti në dimër nuk është një tragjedi, duke qenë se trofe i Bundesligës vendoset në maj. Sigurisht që kampionati është objektiv i yni, por jo vetëm ai: edhe Kupa e Gjermanisë, edhe Champions-i. Gjithsesi, e rëndësishme është që pasi të rikthehemi në fushë, të shoh skuadrën të luajë futboll intensiv, dëfryes dhe sigurisht rezultativ”.

KONFIRMIMI TE BAJERNI – Në fund, ishte e pashmangshme një pyetje për të ardhmen e tij: “Personalisht jam i qetë dhe shpresoj që ta mbyll me sukses këtë sezon, duke sjellë sa më shumë trofe që të jetë e mundur. Më pëlqen të punoj për Bajernin dhe aktualisht mendoj vetëm që skuadra të ofrojë në fushë futbollin e saj më të mirë. Në fund të sezonit do të pres vendimin e drejtuesve dhe do mirëpres çdo vendim të tyre”, përfundoi Flik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"