“Flik na bëri skuadër”, Kimish tregon objektivat e vitit 2021: Kapiten dhe trofe, ëndërroj një karrierë si e Lahmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2021 | 19:53

“Flik na bëri skuadër”, Kimish tregon objektivat e vitit 2021: Kapiten dhe trofe, ëndërroj një karrierë si e Lahmit

Joshua Kimish është pa dyshim një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Bajernit të Mynihut.

kimish lahm

Mesfushori gjerman, në një intervistë për prestigjiozen “Bild plus”, foli për të ardhmen te skuadra rekordmene e Bundesligës, por edhe për objektivat personalë në të ardhmen.

Kimish, është e vërtetë që vitet e fundit keni qenë një nga lojtarët më të mirë për skuadrën e Bajernit?

Këtë nuk mund ta them unë. Gjithsesi, nëse njerëzit mendojnë kështu, kjo është diçka e mirë. Objektivi im është të jap gjithmonë maksimumin me fanellën e Bajernit. Tani po mendoj vetëm se si të rritem më shumë në aspektin e lojës. Dua të marr më shumë përgjegjësi duke qenë se luaj në një pozicion tjetër nga ai i disa viteve më parë.

Viti 2020 ishte pa dyshim nga më të mirët për Bajernin. Cili ishte sekreti juaj?

Ishte një vit që i kishte të gjitha. Në fillim Koronavirusi dhe më pas ndërprerja e kampionatit. Champions-i u luajt në një mënyrë ndryshe nga herët e tjera. Bajerni luajti i bashkuar, i mori ndeshjet një nga një dhe në fund fitoi gjithçka me meritë.

Ndeshja ndaj Barcelonës ishte edhe kthesa jonë. Aty e kuptuam forcën tonë të vërtetë. Sigurisht që në disa ndeshje kishim edhe fatin me vete, por në fund mendoj që fitoi skuadra më e mirë.

Tifozët kanë nisur t’ju krahasojnë me Filip Lahmin. Ngjasoni me të?

Jam ende shumë larg të qenurit në një kategori me Filip Lahmin. Ai ka qenë kapiteni i Bajernit për shumë vite duke fituar shumë trofe. Gjithsesi, mendoj që jam në rrugën e duhur për të qenë po aq i suksesshëm sa ai.

E imagjinoni një ditë veten kapiten të Bajernit?

Çdo ditë- (qesh)… Për momentin kemi Manuelin dhe sa të jetë ai në qarkullim, Bajerni është në duar të sigurta Sigurisht që do të ishte një nder i madh të bëhesha një ditë kapiten i skuadrës. Është ëndrra e çdo lojtari që luan këtu.

Cilët janë objektivat e skuadrës për 2021-shin?

Bajerni është ndërtuar për të fituar sa më shumë tituj duke nisur nga kampionati dhe deri te Champions-i. Besoj se me skuadrën që kemi mund të përsëritim suksesin e vitit të kaluar. Jemi përforcuar me lojtarë si Leroi Sane. Ai do të jetë një armë më shumë për ne. Jam i bindur që edhe në 2021 nuk do të dalim pa trofe të rëndësishëm.

Cilat ishin momentet më të mira të sezonit që latë pas?

Goli ndaj Dortmundit, pasi rinisi Bundesliga, dhe pa dyshim krosimi për Komanin në finalen e Ligës së Kampioneve kundër PSG-së. Ishin dy momente që e ndihmuan shumë skuadrën të arrinte objektivat.

Kombëtarja gjermane nuk po kalon një moment të mirë, sidomos pas humbjes së thellë ndaj Spanjës. Si e përjetuat ju atë disfatë?

Ishte një ndeshje që ndodh një herë në 100 vite. Ishte një nga ndeshjet më të dobëta që kam parë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Përpara kemi Europianin dhe duam të bëjmë gjithçka për të qenë protagonistë, pse jo, ta fitojmë atë.

Me cilin nga shokët e skuadrës keni më shumë miqësi?

Jam një tip që shkoj mirë me të gjithë, por Niklas Zyle dhe Serge Gnabri janë shokët e mi më të mirë. Edhe Myler është tip shumë interesant, është si një vëlla i madh për të gjithë.

Çfarë mendon Kimish për Hansi Flikun?

Gjërat kanë ndryshuar shumë që kur Hansi erdhi te ne. Është një njeri i jashtëzakonshëm, një mentor dhe trajner i mirë. Mund të them që një nga arsyet përse fituam tripletën në sezonin e kaluar ishte edhe Hansi Flik. Ai diti si të na motivonte kur gjërat nuk shkonin mirë për ne.

Nëse ka diçka për ta thënë, e bën drejtpërdrejtë, lojtarët e duan këtë mënyrë komunikimi pasi i bën ata të ndihen të vlerësuar. Stërvitjet me të janë gjithmonë një sfidë më vete, duhet të djersish shumë pasi në skuadër askush nuk e ka vendin të sigurt.

Lotar Mateus ka thënë për ju se jeni lojtari gjerman më i mirë në botë për momentin. Si ju bën të ndiheni?

Nëse e thotë një si Lotar Mateus, atëherë kjo të bën të ndihesh shumë i vlerësuar. Nuk mendoj se jam më i miri. Fakti që luaj te Bajerni më mjafton. Këtu ndihem një futbollist i kompletuar. Kam biseduar edhe sy më sy me Lotarin dhe shumë herë më ka dhënë këshilla të vlefshme. Nga një ish-lojtar më një karrierë si e Mateusit vetëm mund të mësosh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"