Flik kërkon dy përforcime në skuadër, tre lojtarë mund të largohen nga Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 23:38

Flik kërkon dy përforcime në skuadër, tre lojtarë mund të largohen nga Bajerni

Na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e sezonit të Bundesligës. Nesër Bajerni luan kundër Shalkes, por kampionët e Hansi Flikut janë ende në mes të procesit të planifikimit të skuadrës. Trajneri 55-vjeçar ka kohë që ka bërë thirrje për përforcime. Ai ëndërron një sulmues krahu tjetër pas transferimit të Leroi Sanesë, ndërkohë që në dispozicion ka vetëm Kingsli Komanin dhe Serzh Gnabrinë, pas largimeve të Filipe Kutinjos dhe Ivan Perisiçit, por presidenti i nderit i bavarezëve, Uli Hënes, i ka shuar shpresat e teknikut për të zëvendësuar Perisiçin, i cili u rikthye tek Interi pas dështimit të marrëveshjes për ta transferuar përfundimisht.

Flik

Marrëveshja nuk u arrit kryesisht për shkak të pretendimeve të Interit për kartonin e kroatit (15-20 milionë euro), por nga ana tjetër edhe prej rrogës së lartë të sulmuesit 31-vjeçar, 11 milionë euro. Flik planifikoi fillimisht t’i jepte shansin të riut të akademisë, Oliver Batista Maier, por 19-vjeçarin e huazuan te Herenveni në Holandë. Në përgjithësi, Hënes tha për blerjet e reja të mundshme: “Bajernit nuk i mungon askush”.

Nëse Bajerni do ta kuptojë në dhjetor se skuadra aktuale nuk mjafton, boshllëqet mund të plotësohen në janar, por ka një kontradiktë mes asaj që kërkon stafi teknik dhe asaj që mendojnë drejtuesit e klubit. Flik kërkon gjithashtu edhe një mbrojtës të djathtë. Objektivi numër 1 i Bajernit në këtë drejtim është Serxhinjo Dest (19 vjeç), mbrojtësi i Ajaksit të Amsterdamit. Megjithatë, klubet kanë ende probleme në bisedime për vlerën e kartonit. Gjermanët duan të paguajnë më pak se 10 milionë euro, ndërsa Ajaksi kërkon 15-20 milionë euro.

Flik

Në të gjitha aktivitetet e tjera të transferimeve, drejtuesit duan që t’i qëndrojnë besnik strategjisë së transferimit në këtë kohë krize pandemie. Pas blerjeve të Leroi Sanesë, Aleksander Nybelit (portieri 23-vjeçar erdhi nga Shalke me parametër zero) dhe mbrojtësit Tangui Nianzu (18 vjeç), më shumë profesionistë të tjerë do të vijnë vetëm në rast se të tjerë do të shiten. Prandaj, klubi është në pritje për të parë se çfarë mund të mbledhë nga shitjet. Bavarezët presin largime të tjera: përveç Tiago Alkantarës, Havi Martinezit dhe Zven Ulraishit, të cilët janë në listën e largimeve, merkatoja do të jetë e hapur deri më 5 tetor, kështu që do të ketë kohë për të përmbushur edhe dëshirat e trajnerit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"