Flik dhe Salihamixhiç u përplasën edhe për Boatengun, ish-trajneri Kovaç: Në Mynih nuk pyetet trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 23:55

Flik dhe Salihamixhiç u përplasën edhe për Boatengun, ish-trajneri Kovaç: Në Mynih nuk pyetet trajneri

Midis shumë pakënaqësive mes Hansi Flikut dhe drejtorit sportiv Hasan Salihamixhiç është natyrisht edhe situata e kontratës së Zherom Boatengut, për të cilën trajneri është anashkaluar edhe njëherë.

Flik Kovac Salihamixhic

Dy javë më parë, “SportBild” zbuloi se drejtori sportiv i Bajernit dhe menaxherët e qendërmbrojtësit u takuan në një hotel për të diskutuar vendimin e klubit për rinovimin. Hasan Salihamixhiç i tha atyre se klubi nuk do t’i ofronte një kontratë të re pasi mbrojtësi dëmtohej shpesh dhe nuk kishte vazhdimësi.

Menaxherët nuk e pranuan këtë vendim, duke qenë se Boa është një titullar me Flikun dhe ka luajtur shumë mirë këtë sezon. Një takim i dytë u mbajt 24 orë më vonë, vetëm mes shefit të klubit Rumenige dhe vetë futbollistit. Boatengut iu kërkua që të presë 2-3 javë dhe të mos negociojë me klube të tjera gjatë kësaj periudhe. Atë mbrëmje, Uli Hënes, i cili sot është presidenti i nderit dhe punon edhe si opinionist në televizionin RTL, tha se ai nuk do ta merrte Boatengun në Europian nëse do të vendoste ai.

Sipas “Kicker”- it, Hënes donte që të kursente ndonjë surprizë të pakëndshme nga bordi ekzekutiv në lidhje me të ardhmen e Boatengut, duke qenë se bordi mbikëqyrës e kishte vendosur që të mos i ofronte rinovimin. Ky është problemi, duke qenë se rinovimet janë një çështje e bordit ekzekutiv dhe jo e atij supervizor.

Ndërsa Rumenige nuk e ka përjashtuar ende 100% rinovimin e kontratës së mbrojtësit, situata u agravua akoma më shumë kur Salihamixhiç konfirmoi nga asgjëja përpara ndeshjes me PSG-në një javë më parë, se kontrata e Boatengut nuk do të rinovohej. Deklarata nuk u prit mirë nga shefat dhe kjo mund të dëmtojë edhe bisedimet për rinovimin me Niklas Zylen. Me pak fjalë një situatë kaotike që pritet të gjejë edhe Nagelsman nëse zgjedhë të vijë në Mynih.

KOVAÇ – Ish-trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, sot në stolin e Monakos i ka bërë teknikut 33- vjeçar një paralajmërim gjatë një interviste për “SportBild”: “Planifikimin e skuadrës këtu te Monako apo planet për sezonin e ri i bën Pol Miçell (drejtori sportiv), departamenti i skautëve dhe unë.

Ne flasim gjerë e gjatë dhe negociojmë me lojtarët që duam. Mendoj se kjo është ajo që ka nevojë çdo trajner. Prandaj firmosa këtu. Të gjithë e dimë si është në Mynih. Këtu është e kundërta. Situata që gjeta këtu është si ajo në Frankfurt dhe këtë kërkon një trajner, pikërisht që të përfshihet në planifikimin e skuadrës. Unë nuk e kuptoj pse ka diskutime të tilla për Hansi Flikun duke parë suksesin që ai ka pasur”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"