Fletore, kulla dhe dronë, ja sekretet e “Baronit të kuq” Julian Nagelsman

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2020 | 9:42

Fletore, kulla dhe dronë, ja sekretet e “Baronit të kuq” Julian Nagelsman

Ai është mësuar t’i djegë etapat e nuk do të ishte çudi një kalim te Milani pavarësisht se me Lajpcigun e lidhin edhe tri vite të tjera kontratë. Katër vjet më parë, duke pasuar Hub Stevensin te Hofenhaimi, ai u bë trajneri më i ri me vend pune fiks në historinë e kampionatit gjerman.

nagelsmann

Asokohe ishte vetëm 28 vjeç dhe shumica e moshatarëve ishin në fushë. Në karrierën e tij të re ka vazhduar duke thyer rekorde dhe i vetmi që nuk mund t’i përkasë është ai i trajnerit për një ndeshje, arritje që mban firmën e Bern Shtëberit që në vitin 1976 drejtoi Sarbrykenin për 90 minuta.

Siç thamë, Juliani nuk njeh moshë dhe me 32 vite e 211 ditë mbi shpinë, ai u bë trajneri më i ri që fiton një duel direkt në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve duke eliminuar Totenhemin. Ndryshe nga kolegët nëpër botë, trajneri i Lajpcigut nuk pëlqen të shfaqet në media dhe mendon për të planifikuar nisma bamirësie me shoqatën “Common Goal”.

nagelsman

TEKNOLOGJI DHE FLETORE — Që kur ka nisur të merret me trajnim, Nagelsman mban shënime në fletore apo fletë A3. Thuhet se ka edhe një bllok ku në anën e majtë shkruan karakteristikat e rivalëve, ndërsa në të djathtën mënyrën për t’i “anuluar” ata. Deri pak kohë më parë studionte ekipin me dronë, ndërsa që kur ka ardhur te Lajpcigu, ka kërkuar ndërtimin e disa kullave prej 6 metrash nga ku sheh lëvizjet e ekipit dhe harton skemat për takimin e radhës.

“BARONI I KUQ” — 32-vjeçari urren rrjetet sociale, por adhuron sportet. Të gjitha. I preferuar është sërfi me parashutë të komanduar nga era, teksa në garazh ka një Aprilia Tuono (motor). Në dimër i kushtohet snoubordit dhe kacavjerrjes në male, teksa gjatë lëvizjeve me skuadrën vendos për motivim këngët e grupit Red Hot Chili Peppers.

Në vitin 2017 thuhet se ishte shumë pranë Bajernit të Mynihut, klub ku e thërriste origjina duke qenë se është bavarez dhe familja e tij jeton në Mynih. Asokohe u pikas në “Allianz Arena” me një pallto të kuqe, por mediave u tha se kishte shkuar thjesht për të parë gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë mes Bajernit dhe Dortmundit.

Nagelsman

Për të theksuar prirjen e tij për bamirës, pallton e atij rasti, Nagelsman e shiti në një ankand bamirësie për 1500 euro. Edhe pas ankandit mediat spekuluan, por Juliani replikoi me humor: “Palltoja e kuqe nuk do të thotë asgjë. Vazhdoj të jem trajneri i Hofenhaimit edhe kur vesh këpucë të kuqe e pi ‘Coca-Cola’”.

MENTORË — Ndër epitetet e Nagelsmanit janë “Murinjo i vogël”, “Pasardhësi i Klopit” përveçse “Tuhel i ri”. Në fakt ishte pikërisht Tomas Tuhel që kur drejtonte Augsburbgun i kërkoi Julianit (asokohe 20-vjeçar) që të monitoronte rivalët. Raportimi që i erdhi në dorë, e bëri Tuhelin t’i thoshte: “Ti djalosh do të bëhesh trajner!” Për shkak dëmtimi, Juliani vendosi të varte këpucët në gozhdë e të tentonte një karrierë prej vëzhguesi. Më pas të gjithë e njohim historinë, me Tuhelin që vazhdon të jetë frymëzuesi i 32-vjeçarit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"