Flet trajneri i Pogradecit: E lehtë ta marrësh kalanë, e vështirë ta mbash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 13:26

Flet trajneri i Pogradecit: E lehtë ta marrësh kalanë, e vështirë ta mbash

Liqenorët, pas një nisjeje jo fort të mirë të sezonit, kanë pasur rritje nga java në javë. Në fund të fazës së parë kanë marrë kreun e Grupit B, ku rivaliteti është mjaft i madh. 

ardian abazaj

Trajneri Abazaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, pasi shpreh edhe solidaritetin për të prekurit nga tërmeti, shprehet se edhe ekipi i tij do të japë një ndihmë monetare për këtë tragjedi. “Shpreh ngushëllimet në emër të ekipit për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur nga tërmeti i fundit. Ne si ekip do të mundohemi të japim ndihmë financiare. Kam biseduar me futbollistët dhe të gjithë janë gati të kontribuojnë nga rroga e tyre. Është më se normale në këtë moment”, thotë trajneri pogradecar, i cili më pas flet për ekipin që drejton.

“Jemi munduar të stërvitemi për ndeshjen e radhës në këtë trishtim. Kemi dy mungesa ndaj Devollit, Pere për shkak kartonësh dhe Topllari i dëmtuar. Jemi kryesues, por kjo nuk do të thotë se ndeshjet për ne janë të lehta. Në fushën tonë luajmë vetëm për fitore. E kemi të qartë se presioni është ndaj nesh, sepse është e lehtë të marrësh një kala, por e vështirë ta mbash. Kemi një grup të fortë, mjafton të përmend Lushnjën, Apoloninë dhe Besën. Ata që flasin nga jashtë dhe na gjykojnë, dua t’i lë në punën e tyre. Ekipi që kemi, me dy-tre përforcime, është dinjitoz për Superioren”, ka thënë mes të tjerash trajneri Abazaj.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"