Flet trajneri i Caljes, Toska: Brikeni hero, ja si e kapte podiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 17:04


Flet trajneri i Caljes, Toska: Brikeni hero, ja si e kapte podiumin

Siç dihet, Briken Calja ka dalë nga fshati i kampionëve, Shtërmeni, aty ku në moshë 11- vjeçare nisi peshëngritjen nën drejtimin e trajnerit Leonard Toska, me të cilin punoi për shumë vite. Ndërkohë, vitet e fundit Calja u bashkua me ekipin e Tiranës, aty ku trajner personal ka Gerald Toskën.

briken calja

Ky i fundit në një prononcim për “Panorama Sport” e ka komentuar kështu paraqitjen fantastike të Briken Caljes: “Ishte një rezultat historik për Shqipërinë. Për mua Briken Calja është një hero. Në ato kushte dhe në ato mënyra që ky sportist stërvitet në Shqipëri dhe arrin të ndeshet me shtetet më të fuqishme të botës dhe të futet mes katër më të mirëve nuk është pak, duke qenë vetëm 1 kg larg medaljes. Mbi të gjitha, Brikeni duhet të falënderohet, pasi ka kaluar shumë vështirësi këto kohët e fundit nga disa problem familjare, duke kaluar situata të vështira. Dhe me gjithë këto probleme, ai bëri një garë shumë dinjitoze, pa harruar që nuk pati pranë trajnerin e tij”, deklaroi Gerald Toska.

Ai nuk ishte pjesë e skuadrës olimpike në “Tokio 2020”, pasi delegacioni ishte i reduktuar në numër për shkak të kufizimeve prej COVID-it, ndërsa shtanga u përfaqësua nga presidenti Elez Gjoza. Një zgjedhje disi e pakuptimtë kjo, teksa sportisti më pritshmëritë më të mëdha të Shqipërisë shkon në olimpiadë pa trajnerin e tij. “Normalisht që më vjen keq që nuk isha në këtë ditë historike, por nuk ke çfarë të bësh, pasi jemi në një situatë pandemie dhe këto janë kushtet”, shprehet trajneri.

Më tej Gerald Toska thotë se nëse do të ishte pjesë e garës, do të kishte ndjekur një tjetër strategji në stilin e shkëputjes: “Nëse do të isha edhe unë në garë, them që duhet të kishim bërë një korrigjim të vogël. Duke e ditur që indoneziani kishte ngritur 152 kg në baterinë e tij, mbase do të kishte qenë më mirë që edhe Brikeni ta fillonte me 152 kg. Megjithatë, ajo është garë dhe mbrapa mund të flasim sa të duam e nuk ka më vlerë. Por siç e thashë, edhe pse jashtë medaljeve, rezultati mbetet historik”.

I pyetur nëse Briken Calja kishte mundësi të bënte edhe më shumë se kaq, trajneri nuk ka dyshime: “Sigurisht që po. Brikeni ka ngritur 156 kg nëpër europianë. Në stërvitje ka qenë në një formë fizike të shkëlqyer. E kam ndjekur deri ditën e fundit para se të nisej dhe prisnim rezultatet 155 kg dhe 190 kg. Ne e kishim diskutuar që në zonën e medaljeve do të na dërgonin këto kile, pavarësisht se medalja erdhi me më pak. Ndërsa në këtë rast na duhej 153 kg në shkëputje dhe 190 kg në shtytje për medaljen. Mendoj që pati një pezmatim nga prova e tij e parë në shkëputje, jo se nuk e ngrinte dot, por sigurisht që ndikojnë shumë faktorë dhe emocionet bëjnë të veten. Dështimi i provës së parë të kushtëzon më pas edhe garën, pasi duhet të sforcohesh, megjithatë më pas në shtytje pati një reagim prej kampioni”, përfundoi trajneri Gerald Toska.

ARTIN LLESHAJ


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/