Flet sulmuesi tek i cili ka varur shpresat Egnatia: Jam gati, e nxjerr unë ekipin nga kriza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2022 | 20:58

Flet sulmuesi tek i cili ka varur shpresat Egnatia: Jam gati, e nxjerr unë ekipin nga kriza

Rrogozhinasit po vijojnë seancat për përgatitjen e ndeshjes ndaj Partizanit, që do të luhet në fundjavë. Të gjithë presin kthesën e klubit nga Rrogozhina. Pritet që në këtë javë të ketë një metodikë të ndryshme përgatitjesh. Doza e ngarkesës është shtuar së tepërmi dhe stafi po bën maksimumin që lojtarët të arrijnë maksimumin e kushteve të tyre fizike. Pedro Augusto po punon me grupin pas dëmtimit që i ndodhi dhe ndihet gati tashmë. Për “Panorama Sport”, ai u shpreh se do të bëjë gjithçka që Egnatia të ngjitet aty ku i takon.

PEDRO AUGUSTO

“Po punoj shumë që të arrij formën time më të mirë. Dëmtimi më pengoi që të jap më të mirën në fushën e lojës. Pas disa terapive intensive bëra gjithçka që të jem në formë. Pres që të kap ritmin, ashtu siç kam bërë që pas bashkimit me grupin. E ndjej veten më mirë tashmë dhe pres të jap maksimumin tim në fushë. S’kam asgjë që më pengon të jem aktiv në fushë. Shokët më mirëpritën dhe u njoha mirë me çdo ushtrim gjatë seancave. Pres të më vijë shansi të tregoj se kam akoma për të dhënë për këtë fanellë.

Egnatia e unë kaluam një moment të keq. Vlen që të jemi në të njëjtin rrugëtim, unë me gola, e Egnatia më lart në renditje. Kam shënuar gola me vlerë, po pres të rikthehem në ritmin e mëparshëm. Vlen që të jem i qetë në tërësi e të shpalos vlerat e mia si gjithmonë. Fusha e blertë më ka munguar shumë. Besoj se me Partizanin do të kem mundësinë të luaj që nga minuta e parë. Ndihem mirë në Rrogozhinë. Rikthimi im do të jetë efikas. Shënimi i golave do të jetë detaj më vete për aspektin personal e në tërësi. Aktivizimi në fushë më ka munguar shumë. Falënderoj Zotin që ia dola ta kaloj pa operim këtë dëmtim, që më ndali në momentin tim më të mirë.

Jam i kënaqur për gjithçka deri tani në Rrogozhinë. Vlerësimi ndaj meje është shumë i madh, kam dëshirë që çdo gjë ta shpërblej me gola atëherë kur duhet. Ne jemi të huaj, por ndihemi të plotësuar me çdo kusht nga klubi. Mbetet që ta nis sa më mbarë këtë periudhë që shpresoj të jetë një fillim i ri. Premtoj më të mirën si gjithmonë e t’ia dal me parashikimet, që kam menduar. Të gjithë më janë gjendur pranë në kohën që u shkëputa nga fusha”, përfundoi sulmuesi.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"