Flet “njeriu asist” te Lushnja: E kemi nisur mbarë kampionatin, por ndaj Tomorit duhet punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 23:40

Flet “njeriu asist” te Lushnja: E kemi nisur mbarë kampionatin, por ndaj Tomorit duhet punë

Edhe pse është afrimi i fundit i Lushnjës, asgjë nuk e pengoi Vilfor Hysën që të shkëlqente në start. Sulmuesi është kthyer në “njeriun-asist” të verdhejeshilëve, pasi falë tij janë projektuar dy nga tre golat e lushnjarëve në nisje të këtij sezoni. Ka vënë në punë menjëherë eksperiencën, duke i dhënë shumë më shumë garanci ekipit në vijën e parë.

vilfor-hysa

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” 31-vjeçari komenton debutimin me fanellën lushnjare dhe shpreson që pasi ka shërbyer të tjerët, të gjejë edhe golin e parë. “Jam i kënaqur që u kam shërbyer shokëve. Tani më mbetet të shënoj vetë e të marr kënaqësinë e golit të parë me Lushnjën”, u shpreh fillimisht lojtari që gjatë karrierës së tij ka luajtur me ekipe si Tirana, Teuta, Laçi, Vllaznia, Kastrioti, Kukësi, Kamza e Dinamoja.

Nuk kishte si të mos ndalej te supersfida e javës së 3-të. “Rëndësi ka që e kemi nisur mbarë këtë kampionat, pasi vlerë në fund të fundit kanë vetëm pikët. Kemi marrë katër të tilla dhe po përgatitemi për vazhdimësinë. Nuk duam që t’i lëmë asgjë rastësisë. Kundërshtari i radhës është Tomori dhe patjetër që duhet të punojmë më shumë për të marrë maksimumin. Të shohim çfarë mund të përmirësojmë. Tani ka rëndësi vazhdimësia, duke filluar nga ndeshja me Tomorin”, është shprehur lojtari më i spikatur te Lushnja.

STËRVITJA – Prej të martës, lushnjarët kanë nisur përgatitjet në kuadrin e derbit me Tomorin, që do të luhet të shtunën e ardhshme në “Roza Haxhiu”. Me verdhejeshilët është bashkuar sulmuesi Orges Xeka, i cili u dëmtua në premierën me Besën. “Këtë javë kam dalë në fushë. Kam bërë vrapime dhe ushtrime me doktorin e ekipit. Shpresoj që të jem gati për javën e ardhshme”, tha vetë Xeka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"