Flet ish-mbrojtësi i Serisë A që e zbuloi: Kristjan Asllani si te “Oli e Benxhi”, do bëjë interist edhe babain e tij milanist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2022 | 20:28

Flet ish-mbrojtësi i Serisë A që e zbuloi: Kristjan Asllani si te “Oli e Benxhi”, do bëjë interist edhe babain e tij milanist

Françesko Pratali ka zhvilluar karrierën e tij në vitet ‘90 dhe 2000 si mbrojtës. Siena, Torino, por edhe Empoli ku ka qenë ndër të parët që ka diktuar talentin e Kristjan Asllanit. Aktualisht 43- vjeçar, ish-lojtari ka zgjedhur faqet e së përditshmes “Tuttosport” për të shpjeguar më mirë atë që ai sheh te mesfushori shqiptar i cili i është bashkuar së fundmi Interit.

Pratali dhe Asllani

Pratali dhe Asllani

“Në nivel futbollistik u rrit te Buteze, pastaj në moshën 6-7 vjeç e këshillova të zgjidhte Empolin, ku luaja pasi ka qenë e vijon të jetë një klub që i vlerëson të rinjtë. E kujtoj si tani kur e pashë për herë të parë. Ishte përpara një kioske dhe do të blinte patatina, por topin nuk e ndante nga këmbët. Dukej me të vërtetë Oliver Haton nga ‘Oli e Benxhi’ (filmi vizatimor që bëri shumë breza, përfshirë edhe shqiptarë, që të pasionoheshin pas futbollit).

Që në moshën gjashtëvjeçare driblonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo, pasi kalonte orë të tëra duke ushtruar në lagje dhe duke luajtur me miqtë. Kristjani ka qenë gjithmonë i fortë dhe diti të shfaqte forcën e tij sapo iu dha mundësia”, deklaroi Pratali.

KRISTJAN ASLLANI

TEKNIKA – Elozhe dhe detaje, por edhe elemente teknike që kanë përbërë ngahera repertorin futbollistik të Asllanit. Interi ka bërë një goditje perspektive duke i besuar si zëvendës i Brozoviçit, por sipas Pratalit, elementet për t’ia dalë mbanë janë të gjitha. “Asllani ka qenë gjithmonë i zoti me të dyja këmbët pa bërë diferencime. Mund të godasë në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën saktësi: diçka që të bën përshtypje tani, e lëre më kur si fëmijë paraqitej për të ekzekutuar goditjet nga këndi.

Më bën përshtypje personalitetit të Kristjanit. Ai luajti në ‘San Siro’ si të ishte në lagje. Asllani është zëvendës-Brozoviçi perfekt. Është dikush që e njeh topin e gjatë, por di të luajë edhe në hapësira të ngushta. Ka cilësi teknike dhe vrapon pa fund. Inzagi mund ta përdorë si regjisor, por edhe si i tretë në mesufshë. Për më tepër ka qenë gjithmonë interist. I tillë do të bëhet edhe i ati që simpatizon Milanin”.

PANORAMASPORT.Al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"